Orelesin: E prita me shumë kënaqësi ofertën e Vllaznisë

232

Futbollisti i rradhës që është zyrtarizuar tashmë si pjesë e KF Vllaznia, Nuredin Orelesi, në të parin komunikim me gazetarët, ka shprehur kënaqësinë e veshjes kuqeblu. Një deklaratë të tillë ai e ka bërë sot në prezantimin e bërë para mediave. “E njoh Vllazninë, sepse kam luajtur për një kohë të gjatë kundër kësaj skuadre. Kur më ofruan të vija nuk e mendova gjatë. Në skuadrat e mëparshme kam luajtur si mesfushor difensiv apo si mbrojtës qendre. Këtu erdha për të luajtur në mbrojtje dhe kjo nuk përbën një problem për mua.Ndihem mirë për këtë transferim, sepse kam shumë shokë këtu në Shkodër. Të gjithë shokët e skuadrës u treguan miqësorë me mua dhe më pranuan. Ndihem mirë që stërvitem me këtë grup, edhe pse sapo jam bashkuar. Me tifozët ende nuk kam pasur mundësi të flas. Megjithatë, besoj se do të më mbështesin, ndërsa unë do të bëj më të mirën për ata dhe për skuadrën. Më treguan për kualitetet që dëshirojnë të afrojnë për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe shpresoj që ky të jetë një vit më i mirë se ata të mëparshmit. Megjithatë nuk mund të premtoj asgjë. Nuk më pëlqen të bëj premtime, por natyrisht që kam dëshirë që ta ndihmojë ekipin të bëjë paraqitje sa më të mira. Nuk erdha te Vllaznia që skuadra të pësojë rënie në lojë dhe në paraqitje, por që të ketë rritje. Gjithsesi llogaritë do t’i bëjmë në fund të sezonit, sepse kemi edhe një muaj kohë për t’u përgatitur për startin.”

© vllaznia.al