Rajoviç thirrje tifozëve: Ejani të mundim bashkë Tiranën!

73

Rikthimi I tij pas dy vitesh mungesë, është pritur mirë në Shkodër. Blazho Rajoviç për këtë ndjehet mirë. Rikthehet në një qytet ku e duan dhe e respektojnë shumë dhe ai jo më kot, ka vendosur të jetojë aty bashkë me familjen e tij gjatë kësaj periudhe që do jetë nën kontratë me kuqeblutë. Mbrojtësi malazez edhe në ndeshjen e parë me Flamurtarin, pavarësisht humbjes së arritur, ka qenë nga më të mirët në fushë por në fakt ai ka shkëlyqer në Kukës ku ka qenë I pakalueshëm nga kundërshtari. Mbrojtësi 27 vjeçar nga Podgorica, duke folur në lidhje me këtë takimin e fundit, ka thënë: “Ndeshja që zhvilluam ndaj Flamurtarit ka qenë shumë e dobët për këtë dhe prandaj ishim të vetëdijshëm se duhej të ndryshonim. Në Kukës, për këtë arsye, ne nuk dhamë 100 për qind por 150 për qind të mundësive tona sepse donim të merrnim pikë dhe duke patur ndoshta edhe pak fatin në anën tonë, arritëm ta fitojmë atë ndeshje. Ndoshta nuk ka qenë një ndeshje krejt perfekte por besoj se ka qenë një ndeshje e mirë nga ana jonë. Dëgjoj të flitet për gabimin e Seminës në rastin e golit të barazimit të kukësianëve. Normale që dikush duhet të gabojë por nuk duhet ta gjykojmë shumë sepse kushdo gabon. E rëndësishme është që ai gabim nuk ndikoi dhe ne e fituam ndeshjen”. Analiza e tij është e thjeshtë dhe e qartë: tashmë është koha për të menduar për të ardhmen.
Sfida me Tiranën
Blazho Rajoviç nuk ka dëshirë të komentojë gjatë sfidën me Kukësin. Duke iu gëzuar natyrisht shumë trepikëshit të marrë të shtunën që shkoi ndaj skuadrës nënkampione, ai thotë se tashmë të gjithë e kanë mendjen tjetërkund. Pikërisht tek ballafaqimi I sotëm me Tiranën që do të luhet në “Loro Boriçi”. Malazezi thotë se një rol vendimtar në fatin e kësaj ndeshje, do kenë edhe tifozët. “Nuk kemi patur shumë kohë në dispozicion për t’iu gëzuar fitores me Kukësin. Kjo ngaqë në prag është ndeshja që kemi me Tiranën. Ky është një derbi dhe besoj se do jetë një ndeshje shumë interesante. Ne si futbollistë e kemi të qartë se duhet ta fitojmë me çdo kusht këtë ndeshje. Jam I mendimit se në shkallët e stadiumit ka për të patur shumë tifozë të cilët do na mbështesin për ta arritur këtë objektiv. Tifozët shkodranë janë të mrekullueshëm dhe të tillë besoj se do jenë edhe këtë herë. Jemi shumë të qetë në këtë pragndeshje. Secili prej nesh e di detyrën e tij dhe tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta zbatojmë në fushën e lojës dhe të kënaqim veten , drejtuesit dhe tifozët tanë”- ka thënë ai.
www.vllaznia.al