Risia: Analiza me pamje filmike për ekipet e Akademisë Vllaznia

220

Tashmë po kthehet në një ritual të zakonshëm. Ekipet e Akademisë Vllaznia çdo javë analizat e ndeshjeve, i zhvillojnë me pamje filmike. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë. Pasditen e së hënës, vetëm një ditë pas ndeshjeve të javës së tetë të kampionatit, dy ekipet kuqeblu kanë zhvilluar analizat e ndeshjeve të fituara me Partizani. Fillimisht në zyrat e klubit është ngjitur ekipi i 19 vjeçarëve. Trajneri Luan Zmijani ka marrë në këtë analizë vetëm futbollistët që kanë luajtur në ndeshje ndërkohë që pjesa tjetër e ekipit ka zhvilluar një seancë të përgatitjet fizike me trajnerin përkatës. Në këtë analizë, ka marrë pjesë përveç trajnerit Zmijani edhe drejtori sportiv i klubit Armir Grima dhe përgjegjësi i Akademisë Ismet Hoxha. Pas këtij ekipi rradha ka qenë për Vllazninë U-17. Edhe këtu trajneri Alban Noga ka marrë futbollistët që kanë luajtur ndaj Partizanit. Ndonëse kuqeblutë kanë fituar 4-2 në këtë ndeshje, trajneri është ndalur në pamjet filmike pikërisht në momentet e pësimit të dy golave por edhe në disa raste të tjera ku gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Herëpashere kanë ndërhyrë edhe Grima edhe Hoxha duke dhënë mendimet e tyre për rastet që shfaqeshin në ekranin e televizionit. Në fund të kësaj analize, drejtori Grima ua ka bërë të qartë futbollistëve se e vetmja gjë që kërkohet prej tyre është vetëm të luhet bukur pa patur pikësynim titullin kampion.
© vllaznia.al