Shtubina kthehet sërish: Më bindi zëvendëspresidenti Isufi

219

Ka zgjatur më pak sesa 24 orë largimi i Ndriçim Shtubinës nga Vllaznia. Pasi kishte marrë letrat dhe u la i lirë nga klubi shkodran, mesfushori është kthyer përsëri në gjirin e kësaj skuadre. Ditën e djeshme ai është thirrur nga zv.presidenti Isuf Isufi dhe ka rënë dakord që të firmosë edhe për një vit tjetër me Vllazninë. Shtubina, pasi ka arritur akordin me drejtuesit e klubit, ka dalë në një prononcim për mediat, kur përveç problematikave, shpreh edhe besimin se gjërat do të ndryshojnë për mirë pranë Vllaznisë. “Ishte një situatë jo e mirë për Shkodrën dhe lojtarët. Pothuajse unë mund të isha lojtar i Teutës, por pas një takimi me zv.presidentin e Vllaznisë kemi rënë dakord që të jem pjesë e ekipit shkodran. Më parë unë nuk bëra një kontratë të tillë me ‘Gea Sport’, pasi fjalët ndryshuan rrugës. Kësaj here kontrata ime është direkt me z.Isufi dhe respektimin e saj do ta kem vetëm me atë. Firma është vetëm çështje kohe. Nuk e di se kur do të bëhen kontratat dhe shpresoj që të marrë zgjidhje sa më shpejt kjo çështje. Si unë janë edhe lojtarët e tjerë, shokët mi që janë në pritje të firmosjes së kontratave. Shpresojmë që bashkia të kalojë sa më shpejt edhe rrogat e prapambetura. Situata nuk është e mirë dhe duhet që gjërat të lëvizin më shpejt. Duam, s’duam ne, kampionati do të fillojë dhe do ta kemi të vështirë, por unë kam besim të plotë tek më e mira. Natyrisht që duhet që të bëhen përforcime në skuadër. Fjalët janë të mira dhe bashkia duhet të bëjë më të mirën. Nuk duhet që të humbim besimin. Unë në sezonin e shkuar kam bërë një paraqitje të mirë, por mendoj se në këtë sezon do të jem edhe më mirë se një sezon më parë, pasi nuk kam qenë në 100% tim”, ka deklaruar Shtubina.

www.vllaznia.al