Të dielën në Shkodër, turneu “Miqësia” në futbollin e femrave

215

Një turne shumë interesant pritet të zhvillohet ditën e dielë në Shkodër në futbollin e femrave. Do jenë katër skuadra pjesmarrëse mes të cilave tre janë të Shkodrës dhe një e Kosovës dhe prandaj, ky turne ka marrë emrin “Miqësia” si për të thënë se do shërbejë për forcimin e miqësisë jo vetëm në mes vajzave shkodrane por edhe atyre kosovare. Ka qenë një ide e presidentit të “Juban Danjës” Ferdinand Jaku për një miqësore, e cila është plotësuar me atë të presidentit të ekipit të Vllaznisë Lazer Matija dhe për rrjedhojë është rënë dakord që të dielën në orën 12.00 të zhvillohet turneu në fjalë. Të gjitha ndeshjet do të luhen në fushën sportive “Reshit Rusi”. Përveç këtyre dy ekipeve, do jetë pjesmarrës edhe ekipi tjetër i Shkodrës- The Door si dhe ekipi i Ferizajt të Kosovës. Sipas organizatorëve, ndeshjet do zhvillohen fillimisht me gjysmëfinalet dhe më pas, ndeshja për vendin e tretë e të katërt si dhe ajo për vendin e parë dhe të dytë. Më shumë sesa emri i fituesit të këtij turneu, e rëndësishme është zhvillimi i këtij turneu dhe misioni që përcjell një aktivitet i tillë me pjesmarrjen e këtyre katër ekipeve.
© vllaznia.al