Të shtunën Vllaznia miqësore me Teutën në Durrës

107

Periudhën e ndërprerjes së kampionatit, drejtuesit e Vllaznisë po e shfrytëzojnë për rregullimin e gabimeve të vërejtura në takimin hapës të kampionatit, atë me Flamurtarin. Për këtë arsye, duke shfrytëzuar periudhën e pushimit këtë javë për shkak të ndeshjeve të kombëtares shqiptare, është menduar zhvillimi i një ndeshje miqësore këtë fundjavë. Kështu, duke qenë se ndeshja e rradhës për kampionat, do të luhet në transfertën e Kukësit, edhe miqësorja është kërkuar të luhet jashtë Shkodre dhe prandaj është rënë dakord që të ketë një miqësore me ekipin e Teutës. Trajnerët Canaj e Magani kanë rënë dakord për këtë gjë dhe ndeshja do të luhet pasditen e së shtunës në Durrës. Ndërkohë gjatë këtyre tre ditëve të para të kësaj jave, stërvitja e kuqebluve ka vazhduar me të njëjtin intensitet madje jo pak kohë i është kushtuar edhe analizës së ndeshjes me Flamurtarin. Sigurisht që janë shumë gjëra për t’u riparuar dhe prandaj do zhvillohet edhe kjo miqësore. Përballja me Teutën do të jetë edhe testi i parë serioz për sulmuesin kroat Tomislav Bushiç i cili pavarësisht se ka firmosur me kuqeblutë, ende nuk është parë në fushë në një ndeshje zyrtare. Nga ana tjetër,stafi drejtues i kuqebluve gjatë këtyre ditëve ka ndjekur me shqetësim edhe dëmtimet e portierit Vujadinoviç dhe mesfushorit Gocaj dhe po bëhet çmos që ata të rikuperohen për ndeshjen e rradhës për kampionat me Kukësin. Ata janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për këtë skuadër dhe prandaj po i kushtohet jo pak rëndësi rikuperimit të tyre.