Trajneri Canaj do jetë në pankinë në Vlorë. Klubi konverton dënimin e tij

80

Agim Canaj do të jetë në pankinë në ndeshjen me Flamurtarin ditën e dielë. Në fakt, sipas vendimit të Komisionit të Disiplinës dy javë më parë, ai dhe drejtori sportiv i klubit Armir Grima, do të pezulloheshin me nga dy ndeshje. Pas kryerjes të gjysmës së dënimit, drejtuesit e klubit i kanë kërkuar Sektorit të Garave pranë FSHF-së faljen e pjesë së mbetur të dënimit kundrejt pagesës së shumës që duhet bërë në këtë rast sipas asaj çfarë parashikon rregullorja.Kjo kërkesë natyrisht që është miratuar dhe kësisoj Canaj do të ketë të drejtë të jetë në pankinë për ndeshjen e rradhës me Flamurtarin. Natyrisht që është një plus më tepër duke njohur edhe grintën me të cilën ky trajner drejton gjatë ndeshjes duke udhëzuar pambarimisht futbollistët e tij nga minuta e parë dhe deri në fund.Mbase mungesa e tij në drejtim u ndie edhe në ndeshjen e kaluar me Besën teksa Canaj dhe Grima kanë qenë larg fushës, pikërisht të sistemuar në një nga ambjentet e stadiumit. Ndonëse ai ka komunikuar vazhdimisht përmes celularit me ndihmësit e tij, sigurisht që puna nuk ka shkuar ashtu si duhet dhe mbase ky ishte edhe në nga shkaqet që çoi në humbjen e asaj ndeshje. Të dielën në Vlorë do jetë ndryshe sepse numri 1 i kuqebluve do jetë sërish “në timonin” e tyre për t’i udhëzuar dhe orientuar drejt marrjes së një rezultati pozitiv.

© vllaznia.al