Veleçiku- Vllaznia, të mërkurën për Kupën e Shqipërisë në “Reshit Rusi”

236

Do startojë nesër Kupa e Shqipërisë me ndeshjet e turit të parë. Sipas një shorti të hedhur nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, në këtë tur skuadra jonë do të ndeshet me ekipin e Veleçikut të Koplikut. Ndeshja e parë do të luhet pikërisht nesër por jo në Koplik. Kjo për shkak të mosplotësimit të kushteve të kërkuara nga FSHF nga fusha sportive e këtij qyteti. Siç dihet Veleçiku ndeshjet e kampionatit i luan në Pukë por duke qenë se në Kupë nuk ka asnjë pretendim, drejtuesit e saj kanë pranuar që ndeshjen ta luajnë në fushën sportive “Reshit Rusi” të qytetit tonë. Kësisoj ky takim do të nisë pasditen e së mërkurës në orën 14.00 në këtë fushë. Natyrisht që nuk përbën asnjë problem kualifikimi për kuqeblutë sepse diferencat mes skuadrave janë të mëdha dhe në kushte të tilla, trajneri Agim Canaj pritet që të hedhë në fushë formacionin e dytë. Ndeshja e kthimit në mes këtyre dy skuadrave do të luhet pas dy javësh sërish në të njëjtin fushë. Ndërkohë në turin e dytë, kundërshtari i mundshëm i Vllaznisë pritet të jetë Partizani.
© vllaznia.al