Vllaznia B në pritje të nisjes së kampionatit të ri

214

Prej tre javësh ekipi i Vllaznisë B që drejtohet nga trajneri Ervis Kraja, ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Ajo që vihet re është një interesim më i madh nga ana e klubit për këtë ekip me të cilin kanë pretendime serioze për ngjitjen një kategori më lart në fund të sezonit. Ditën e sotme ka ndjekur seancën e rradhës së këtij ekipi edhe drejtori sportiv Eugent Zeka. Fillimisht ai është takuar me stafin teknik dhe më pas me të gjithë futbollistët. Para fillimit të stërvitjes, drejtori Zeka u ka bërë të qartë futbollistëve se do të jetë shum pranë tyre dhe natyrisht që lojtarët të cilët do spikasin me paraqitjen e tyre, kuptohet që do jenë edhe në vëmendjen e stafit të ekipit të parë. Normalisht që kjo është edhe ideja e ndërtimit të këtij ekipi. Lojtarët që nuk gjetën hapësira në ekipin e parë, do stërviten e luajnë me këtë ekip dhe në momentin më të parë që do të bindin për formën e tyre, kuptohet që rruga e tyre do të bëhet më e thjeshtë për të realizuar ëndërrën e tyre të madhe. Në seancat e kësaj periudhe konstatohet një grup më i plotë lojtarësh që ka në dispozicion stafi teknik dhe përpos tij, të mos harrojmë se në ndeshjet zyrtare, pesë futbollistë nga ekipi i parë do të jenë pjesë e tij, siç e parashikon edhe rregullorja e Federatës. Natyrisht që kjo është një mundësi e mirë që të gjithë futbollistët të luajnë dhe të tregojnë vlerat e tyre dhe ky është edhe pikësynimi i drejtuesve të klubit.
© vllaznia.al