Vllaznia barazim 1-1 me meritë në Kukës. Fitorja vetëm 8 minuta larg

224

Vetëm 8 minuta larg fitores kanë qenë shkodranët pasditen e sotme në ndeshjen e luajtur në Kukës ndaj skuadrës vendase.Goli i sulmuesit Arenc Dibra në minutën e 12-të të ndeshjes është barazuar nga ai i Vilfor Hysën në të 82-tën. Megjithatë Vllaznia ka qenë sërish e pafat. Ashtu si në dy ndeshjet e kaluara ndaj Bylisit dhe Besës ku shtyllat kanë penguar fitoren e kuqebluve, kështu ka ndodhur edhe sot. Arsen Hajdari në minutën e 83-të ka goditur traversën duke mos arritur dot t’i japë fitoren skuadrës së tij. Në fakt ndeshja ka qenë shumë e mirë për skuadrën tonë ndonëse në rradhët e saj ka patur disa mungesa të rëndësishme si ato të Bushiç, Belishës dhe Gocajt të dëmtuar dhe Krajës me kartona. Megjithatë aktivizimi i Dibrës në sulm dhe i 19 vjeçarit Mateo Zefi në mesfushë, kanë rezultuar të suksesshëm. Në pjesën e parë përveç golit të Dibrës ka patur edhe një moment të dyshimtë teksa Nikoliç është penguar në zonë nga dy mbrojtës vendas ndërkohë që gjyqtari Pashaj i ka dhënë karton të verdhë për simulim. Në të dytën, kuqeblutë janë tërhequr disi në mbrojtje të rezultatit megjithatë në disa kundërsulme nëse do të ishin treguar më të guximshëm, mund të kishin shënuar edhe golin e dytë dhe të fitores por nuk ka ndodhur kështu. Përfundimisht 1-1 në këtë takim duke shënuar ndeshjen e 10-të rradhazi pa fitore megjithatë sfida e sotme, e drejtuar nga zëvendëstrajnerët Samuel Nikaj e Avenir Dani, si dhe duke patur asistencën e drejtorit sportiv Armir Grima, ka rezultuar e suksesshme duke marrë një pikë shumë të rëndësishme në transfertën e vështirë të Kukësit.
Kukësi- Vllaznia 1-1
Kukësi: Halilaj, Malota, Brahja, Smajli, Hallaçi, Uçe, Allmuça, Progni, Boya, Hoxha, Hysa. Tr: S. Starova
Vllaznia: Vujadinoviç, Beqiri, Vukçeviç, Sykaj, Baci, Zefi, Tafili, Nikoliç (Bardulla ’80), Shtubina (Hajdari 73′), Kruja, Dibra (Vecaj 91′). Tr: S. Nikaj
Shënues: Hysa 82’/ Dibra 12′
Gjyqtarë: B. Pashaj, G. Qirici, D. Myftari (Tiranë)
Kartona të verdhë: Uçe, Allmuça/ Nikoliç

© vllaznia.al