Vllaznia barazon 0-0 me Tiranën. Dy kroatët janë të pavlefshëm

222

Në barazim 0-0 është mbyllur miqësorja në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Tiranës. Ajo është luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” dhe është ndjekur me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh. Trajneri Canaj ka aktivizuar nga minuta e parë këto futbollistë: Vujadinoviç, Gocaj, Zefi, Sykaj, Marku, Belisha, Tafili, Kruja, Shtubina, Hajdari, Bushiç. Pjesa e parë ka qenë e dobët, pa raste shënimi për të dy skuadrat. Me interes ka qenë aktivizimi në pjesën e dytë i dy futbollistëve kroatë të ardhur për provë, mbrojtësit Ljuboviç dhe mesfushorit Rukavina. Ata kanë luajtur që nga minuta e 46-të bashkë me Selimajn, Bacin, Kalajën, Dibrën, Rexhën, Vecajn e Shabën. Gjatë kësaj pjese, ka patur dy raste shënimi për Vllazninë me anë të Dibrës dhe Zefit por janë penguar nga portieri kundërshtar. Në fund të miqësores që nuk dhuroi asnjë gol, trajneri Canaj në prononcimin e tij për mediat ka thënë: “Ne kërkuam të testojmë veten ndonëse futbollistët vinin pas një jave të ngarkuar me stërvitje. Sa për dy kroatët, jam konsultuar edhe me stafin tim dhe kemi dalë në përfundimin se ata nuk janë në formën e duhur prandaj dhe nuk e kalojnë klasën. Do presim futbollistë të tjerë më cilësorë në ditët e ardhshme”.

www.vllaznia.al