Vllaznia barazon 0-0 në Tiranë me Partizanin për kupë

220

Vllaznia ka barazuar 0-0 në ndeshjen e luajtur ndaj Partizanit, e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. E luajtur në “Qemal Stafa”, ky rezultat favorizon më tepër ekipin shkodran për kalimin në turin çerekfinal ku do të ndeshet me ekipin e Flamurtarit. Në këtë ndeshje ndaj skuadrës së kuqe, trajneri Canaj sërish kishte probleme me formacionin. Kapiteni Beqiri sërish ka qenë i pamundur për të luajtur ndërkohë që edhe sulmuesi kroat Bushiç është detyruar të lërë fushën e lojës që në minutën e 15-të për shkak dëmtimi. Po ashtu edhe Belisha ishte lënë jashtë nga ana e trajnerit për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër, është lënë jashtë edhe Shtubina, ndoshta për shkak të formës së tij jo të mirë në ndeshjet e fundit. Gjithsesi ata që i kanë zëvendësuar e kanë justifikuar më së miri aktivizimin. Loja nuk ka qenë e ndonjë niveli shumë të lartë megjithatë është kontrolluar nga shkodranët të cilët në ndonjë rast mund të kishin shënuar me anë të Hajdarit, gol që do t’i jepte sigurinë për ndeshjen e kthimit. Për t’u përmendur është minuta e 75-të kur Kruja u pengua në gjysëmfushë por ishte në gjendje të vazhdonte aksionin bashkë me Hajdarin, kundrejt vetëm një mbrojtësi të Partizanit por gjyqtari Cjapi në mënyrë krejt të çuditshme vërshëlleu duke akorduar faull në favor të skuadrës sonë. Ky vendim ka irrituar pa masë të gjithë pjestarët e Vllaznisë, madje trajneri Canaj ka ngritur zërin nga pankina, aq sa gjyqtari kryesor ta largonte pa të drejtë nga pankina. Minutat e mbetura nuk do të kishin ndonjë gjë tjetër dhe për rrjedhojë e gjithë ndeshja është mbyllur në barazim 0-0. Fati i skuadrës që do të kualifikohet për në turin tjetër do të vendoset më 18 dhjetor në “Loro Boriçi”
PARTIZANI-VLLAZNIA 0-0
PARTIZANI: A. Hoxha, B.Krasniqi, Ibrahimi, Rrahmani, Murati, Hyshmeri, Demiri, Musta (Maliqi 77′), Mazrekaj, Malo (Buac 60′), Bordon. Trajner: Hasan Lika
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Semina, Boci (Shtubina 78′), Sykaj, Tafili, Bardulla (Belisha 70′), Kruja, Hajdari, Bushiç (Dibra 16′). Trajner: Agim Canaj
GJYQTARET: K. Cjapi, I. Tartari, O. Grabova (Fier)
KARTONË TË VERDHË: Murati/ Sykaj, Dibra, Bardulla

© vllaznia.al