Vllaznia barazon 0-0 për Kupë ndaj Apolonisë në Fier

245

 

Skuadra shkodrane ka hedhur një hap të sigurtë për kalimin e saj në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e parë të turit të dytë, atë të luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit ndaj Apolonisë vendase, është fiksuar rezultati i barabartë 0-0. Një rezultat që natyrisht favorizon Vllazninë për kalimin në turin tjetër sepse për të gjërat bëhen më të lehta pas këtij barazimi për ndeshjen e kthimit që do të luhet javën tjetër në Shkodër. Trajneri Grima kishte aktivizuar në këtë takim shumë prej lojtarëve të stolit. Kështu në portë në këtë ndeshje ka luajtur Sherri ndërsa në mbrojtje Gurishta, Beci, Haxhaj e Hakaj. Në mesfushë ndërkohë janë aktivizuar Krymi, Haxhibuliç, Lushtaku e Çinari ndërsa në sulm dyshja Kdouh- Martinez.Kuqeblutë e kanë dominuar ndeshjen dhe kanë patur edhe raste shënimi megjithatë nuk kanë arritur dot ta dërgojnë topin në rrjetë. Libanezi Kdouh ndërkohë është detyruar të lërë fushën e lojës që në pjesën e parë ngaqë është dëmtuar dhe në vend të tij është futur Dyca ndërkohë që në pjesën e dytë kanë luajtur edhe Kiri e Hebaj në vend të Haxhibuliç e Martinez. Edhe në këtë pjesë nuk kanë munguar rastet megjithatë gol nuk ka patur. Trajneri Grima ka aktivizuar në këtë takim shumë prej futbollistëve që nuk kanë gjetur hapësira në ndeshjet e fundit por sipas informacioneve të para që mësohen, disa prej tyre kanë zhgënjyer jo pak me paraqitjen e bërë. E rëndësishme është që Vllaznia edhe në këtë takim nuk është mundur duke e çuar në pesë numrin e ndeshjeve pa njohur disfatë. Bëhet fjalë për ndeshje në të cilat drejtimin e skuadrës e ka marrë Grima me kolegët e tij dhe ata e nisin me fitoren 4-0 ndaj Pogradecit për kupë, më pas barazimi 1-1 me Kukësin, fitorja 3-0 me Tërbunin, barazimi 1-1 me Tiranën dhe së fundi pra barazimi 0-0 me Apoloninë. A do të vazhdojë kjo ecuri edhe pas ndeshjes së të shtunës me Bylisin? Për këtë duhet të presim.

© vllaznia.al