Vllaznia e Cungut bind fort. Mund pastër 2-0 Flamurtarin

230

Një Vllazni e bukur në “Loro Boriçi” bën Maganin dhe Flamurtarin e tij të “dorëzohet”. Jo më kot tekniku i vlonjatëve pas ndeshjes ka pranuar supermacinë e shkodranëve në këtë takim të cilët kanë fituar 2-0 falë një loje shumë të mirë që kanë zhvilluar. Me nga një gol për secilën pjesë loje, kuqeblutë kanë siguruar fitoren e parë në kampionat duke u ngjitur kështu në kuotën e 5 pikëve pas tre javëve të para të kampionatit dhe duke qenë ndër skuadrat e para të renditjes. Megjithatë trajneri Cungu- arkitekti i kësaj skuadre, nuk kërkon të ngutet. “Tani fillon e vështira për ne sepse kundërshtarët do na shohin me një sy ndryshe”- është shprehur ai pas ndeshjes. Para fillimit të saj ndërkohë edhe një problem më shumë sa i takon ndërtimit të formacionit, përveç mungesës së sigurtë të Gocajt. Edhe sulmuesi Pepa nuk ia del të kalojë dëmtimi dhe trajneri i Vllaznisë vendos t’i besojë nga minuta e parë 18 vjeçarit Rubin Hebaj që në fakt nuk e zhgënjen. Loja nis mirë. Vllaznia është më e vendosur mirë në fushë dhe sheh herë pas herë drejt portës mike. Minuta e 24-të do të sjellë edhe golin e parë të ndeshjes. Pas një topi të krosuar në zonë, mbrojtësi Bicaj në përpjekje për ta goditur atë drejt portës së Flamurtarit, pengohet në mënyrë të parregullt nga mesfushori Shkodra dhe gjyqtari Jorgji shumë pranë aksionit, tregon pikën e bardhë të 11-metërshit. Për ta ekzekutuar atë ngarkohet Tafili që e dërgon topin në rrjetë. 1-0, rezultat me të cilin do të mbyllej pjesa e parë.
Në të dytën, kemi një Vllazni edhe më të bukur. Ajo krijon disa raste të pastra shënimi, me Tafilin dy herë, por edhe me Shtubinën, Vecajn e Hebajn. Ky i fundit në minutën e 72-të do të shfrytëzonte mjaft mirë një top të krosuar nga Gurishta dhe e dërgon atë për të dytën herë në rrjetën e Flamurtarit. Ky do të ishte goli i fundit i ndeshjes megjithatë vendasit kanë patur mundësi të shënojnë sërish edhe të tjerë megjithatë e rëndësishme është fitorja. Vllaznia e ka nisur mbarë kampionatin dhe me pesë pikë të grumbulluara sheh më tej.
Formacioni i Vllaznisë sot: Agoviç, Gurishta, Cicmil, Bicaj, Marku, Krymi, Bardulla, Shtubina (Hoxha 80′), Vecaj, Tafili, Hebaj (Dibra 89′). Trajner: Armando CUNGU.

© vllaznia.al