Vllaznia e femrave mund Dajtin 12-0 dhe shpallet “kampione e dimrit”

241

Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra ka arritur edhe një tjetër fitore këtë javë. “Viktima” e saj ka qenë Dajti dhe në fund të ndeshjes është fiksuar rezultati i thellë 12-0. Ndeshja është luajtur pasditen e së shtunës në Kamëz dhe është dominuar totalisht nga vajzat shkodrane të drejtuara nga trajneri Selami Pepaj. Vllaznia ka luajtur në këtë ndeshje me këtë formacion: Cadenoviç, VUjosheviç, Lazri, Proto, Sufaj, Bajrakurtaj, Gjini, Doçi, Franja, Gruda dhe Tula. Ka qenë kjo e fundit, ajo që ka shënuar dy golat e parë të ndeshjes në minutat 4 dhe 16 ndërsa golin e tretë do ta shënonte Denisa Proto në minutën e 24-të. Për ta mbyllur pjesën e parë, do të mendonte Arlinda Gruda që në minutën e 38-të do të shënonte golin e fundit të këtyre 45 minutave që kësisoj u mbyllën në shifrat 4-0. Në 45 minutat e dyta janë aktivizuar edhe Hoxhaj e Muja përkatësisht në vend të Lazrit dhe Bajrakurtatj. Pjesa e dytë ndërkohë do kishte dyfishin e golave teksa Tula do shënonte edhe katër herë të tjera pikërisht në minutat 49, 53, 75 dhe 84. Do shënonte dy gola sërish Proto në minutat 60 dhe 69 si dhe Gruda në minutën e 82-të. Për të fiksuar rezultatin përfundimtar do të mendonte Luçije Gjini e cila shënoi edhe ajo në këtë takim. Kësisoj Vllaznia ka fituar thellësisht 12-0 duke marrë tre pikë mëse të merituara dhe me to ajo ka shkuar në kuotën e 25 pikëve. Më shumë se të gjithë ekipet e tjera dhe në këtë mënyrë është shpallur “kampione e dimrit”. Ecuria e saj në këtë fazë të parë të kampionatit është vërtetë e shkëlqyer, me 8 fitore, 1 barazim dhe asnjë humbje. Shumë interesant edhe golaverazhi i kësaj skuadre me 53 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar. Objektivi i Vllaznisë sigurisht që është mbajtja e vendit të parë deri në fund të kampionatit dhe shpallja kampione e Shqipërisë.
© vllaznia.al