Vllaznia e nis “me këmbë të mbarë”. Fiton 1-0 ndaj Skënderbeut

217

Vllaznia shkëlqen ndaj Skënderbeut duke fituar 1-0 ndaj tij dhe duke e zbritur nga vendi i parë në renditje. Goli i Arlind Kalajës në minutën e 65-të, ka mjaftuar që kuqeblutë të marrin tre pikë me shumë vlerë, të parat nën drejtimin e trajnerit të ri Armando Cungu që e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme punën e tij me këtë skuadër. Ai ka nisur takimin me të njëjtin formacion që luajti edhe në ndeshjen e kaluar ndaj korçarëve për kupë.Loja në pjesën e parë është e ballancuar. Vendasit i kushtojnë më shumë markimit të kundërshtarit për të mos i lënë hapësirë dhe ia dalin. Salihi është krejtësisht i izoluar në majë të sulmit ndërsa në krahun tjetër, Kalaja nuk orientohet si duhet, megjithatë nuk ka kritika për të sepse luan në pozicionin e tij jo ideal. E para mbyllet 0-0. Edhe e dyta nis në të njëjtën mënyrë. Miqtë qarkullojnë më shumë topin por pa ndonjë shqetësim për mbrojtjen shkodrane dhe portierin Dragojeviç. Në minutën e 63-të, Cicmil dërgon topin në rrjetë pas një goditje me kokë të tij dhe gjyqtari anësor e anullon për pozicion jashtë loje por pamjet filmike nuk i japin të drejtë. Dy minuta më vonë, në një kundërsulm të shpejtë, Shtubina është krejtësisht i lirë nga e majta, fut një top në zonë për Kalajën që këtë herë është i saktë dhe e dërgon atë në rrjetë. 1-0 për Vllazninë dhe tifozët e saj janë në ekstazë. Skënderbeu nuk pajtohet me këtë rezultat. Renatinjo me kokë rrezikon e më pas është Radas që nga një goditje dënimi, e përplas topin në traversë por jo në rrjetë. Kaq mjafton sepse nuk ka më raste dhe vërshëllima e fundit e arbitrit Jorgji, hedh përpjetë të gjithë shkodranët që e nisin vitin 2016 me një trepikësh me shumë vlerë. Dhe për më tepër, përballë kampionëve në fuqi të vendit.

VLLAZNIA- SKENDERBEU 1-0
VLLAZNIA: Dragojeviç, Arbri, Cicmil, Vrapi, Marku, Krymi, Bardulla, Sefa, Shtubina (Pjeshka 93′), Çinari (Tafili 67′), Kalaja (Ahmeti 90′). Tr: A. Cungu
SKENDERBEU: Shehi, Radas, Jashanica, Osmani, Arapi, Eskuerdinja, Shkembi (Renatinjo 67′), Nimaga, Abazi (Progni 67′), Latifi (Plaku 86′), Salihi. Tr: M. Josa
Shënues: Kalaja 65′
Gjyqtarë: E. Jorgji, E. Pashaj, E. Gançi
Kartona të verdhë: Krymi, Sefa/ Jashanica

——

*Ne fund te takimit, biznesmeni Ardit Kraja ka akorduar nje premio prej 5 milione lekesh te vjetra per suksesin e skuadres shkodrane. KF Vllaznia e falenderon kete biznesmen per faktin se po i qendron shume afer ekipit duke e ndihmuar ate per arritjen e rezultateve pozitive.

© vllaznia.al