Vllaznia femra arrin edhe fitoren e tetë. Mund 12-0 Teutën

217

Futbollistet e Vllaznisë nuk kanë të ndalur në rrugën e tyre drejt titullit të katërt kampion rradhazi.Ato kanë fituar sot ndeshjen e tyre të tetë në po kaq ndeshje të luajtura. Përballë tyre këtë herë ka qenë Teuta e Durrësit dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati 12-0. Një fitore e thellë, por nga rastet e krijuara, mund të kishte qenë edhe më e thellë. Gjysmën e këtyre golave të shënuar e ka realizuar sulmuesja Uendi Muja. Pesë të tjerë janë shënuar nga e njohura Megi Doçi ndërsa golin e fundit e ka realizuar Ambra Gjergji. Në këtë mënyrë, skuadra shkodrane udhëheq renditjen me pikë të plota- 24 duke qenë e shkëputur nga ndjekëset e saj. Ndërkohë golaverazhi vazhdon të thellohet edhe më shumë teksa aktualisht ka shënuar plot 72 gola dhe nuk ka pësuar ende asnjë. Javën e ardhshme do luhen ndeshjet e javës së fundit të fazës së parë dhe Vllaznia natyrisht që është shpallur “kampione dimri” megjithatë objektivi është titulli i katërt kampion dhe besojmë se vajzat e drejtuara nga trajneri Nikolin Leka janë në rrugën e duhur.
© vllaznia.al