Vllaznia femra “kampione dimri”. Titulli i katërt, një formalitet

217

Kampionia në fuqi e Shqipërisë në futbollin e femrave- Vllaznia, është padyshim pretendentja kryesore për fitimin edhe të titullit të sivjetëm. Vajzat shkodrane pasditen e djeshme janë shpallur “kampione të dimrit” por edhe duket shumë e sigurtë në rikonfirmimin si kampione e vendit për të katërtën herë radhazi. Kjo, ngaqë diferenca aktuale me ekipin e vendit të dytë, që mbahet nga Apolonia, është 5 pikë. Në ndeshjen e sotme, vajzat kampione kanë arritur një fitore shumë të thellë, 20-0 ndaj ekipit tjetër të Shkodrës, The Door.Protagonistet kryesore të këtij suksesi kanë qenë dy sulmueset, Uendi Muja dhe Megi Doçi, që së bashku kanë shënuar 19 gola!!! Muja ka qenë autore e 12 golave, ndërsa Doçi e ka dërguar topin në rrjetën kundërshtare 7 herë. Kjo e fundit, gjithsesi, është golashënuesja më e mirë e kampionatit deri tani, me 37 gola, e ndjekur nga shoqja e saj e ekipit, Muja, me 32 gola të shënuar. E nëse Vllaznia dallohet për golashënueset, natyrisht që ajo dallohet edhe për lojën në mbrojtje. Këtë e tregon më së miri fakti se në nëntë ndeshje të zhvilluara nuk ka pësuar ende asnjë gol, prandaj golaverazhi është fantastik: 92-0. Shifra këto të denja për librin “Guiness”, për këtë ekip që ka katër vite pa njohur ende shijen e humbjes. Natyrshëm, edhe në fazën e dytë ekipet kundërshtare do ta kenë shumë të vështirë ta rivalizojnë dhe gara e vetme për Apoloninë, Kinostudion, Tirana AS dhe Juban Danja është se kush do t’ia shënojë golin e parë këtij ekipi, sepse për ta mundur duket se nuk bëhet fjalë. Presidenti Matija ka ndërtuar një skuadër model, me të cilën kuptohet që nuk e ka mendjen te kampionati shqiptar, por tek përfaqësimi dinjitoz në Ligën e Kampioneve.

© vllaznia.al