Vllaznia fiton edhe në Ballsh. Vendos goli i Kalajës

251

Një fitore të shkëlqyer ka arritur ekipi i Vllaznisë pasditen e sotme në Ballsh ndaj Bylisit vendas. Goli i Arlind Kalajës në minutën e 9-të, i ka mjaftuar kuqebluve të rregjistrojnë fitoren 1-0, fitore kjo që është e treta rradhazi në 10 ditë, pas atyre me Tërbunin dhe Tiranën. Me trepikëshin e marrë në takimin e sotëm, futbollistët shkodranë kanë përforcuar pozitat e tyre në vendin e shtatë në renditje, madje tashmë janë vetëm një pikë larg ekipit të Laçit që mban vendin e gjashtë. Ndeshja ka nisur disi më mirë për vendasit që kërkojnë të ushtrojnë presion në zonën e Vllaznisë por pa kaluar shumë minuta, do të vinte goli shumë i rëndësishëm i ndeshjes. Një top i mbetur në zonë, goditet saktë nga Kalaja tokazi dhe ai përfundon në rrjetë. Kuptohet që goli ka sjellë gëzim tek të gjithë shkodranët e pranishëm në stadium por edhe qindra e mijëra të tjerë që e kanë ndjekur përmes ekranit të televizionit apo dëgjuar përmes aparateve radiofonike. Në minutën e 40-të pas një goditje dënimi, Vllaznia ishte shumë pranë shënimit të golit të dytë. Pjeshka brenda zone mund ta kishte shtyrë topin në rrjetë, megjithatë ai përplaset në shtyllë. Në pjesën e dytë, janë vendasit ata që ushtrojnë më shumë presion por pa rrezikuar asnjëherë seriozisht portën e Dragojeviç. Pavarësisht 4 minutave shtesë të dhëna nga arbitri Jorgji, nuk ka gol tjetër dhe përfundimisht 1-0 për Vllazninë që me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 29 pikëve.

© vllaznia.al