Vllaznia, ftesë për tifozët kuqeblu: Ju presim nesër në “Loro Boriçi”!

246

Takimi i nesërm me Kukësin, (e enjte, ora 19.00), i vlefshëm për javën e parë të kampionatit të ri, po pritet me interes në Shkodër. Ndonëse gjatë këtyre ditëve të fundit vëmendja e qytetarëve të saj ka qenë e përqendruar tek ndeshjet e kombëtares, tashmë ajo është spostuar tek takimi i Superligës shqiptare në mes dy skuadrave veriore. Kukësi vërtetë ka bërë katër sezone të mira këto vitet e fundit por të gjithë e thonë se Vllaznia mbetet Vllaznia. E ka thënë edhe trajneri Cungu në konferencën e sotme për shtyp, e thonë edhe të tjerët. Numri 1 i pankinës shkodrane ka kërkuar mbështetjen e tifozëve për këtë takim sepse një nisje e mbarë e kampionatit, do të thoshte shumë për skuadrën që ai drejton. Edhe drejtuesit e klubit janë optimist për një ndeshje të mirë. Dëshira është që në shkallët e “Loro Boriçit” tashmë të ndërtuar plotësisht, të ketë shumë tifozë. Për këtë arsye, u bëjnë thirrje atyre të jenë të pranishëm në këtë ndeshje për të mbështetur kuqeblutë. Ftesa kryesore shkon për grupimin “Vllaznit Ultras” që nuk e ka braktisur asnjëherë ekipin, por jo vetëm për të. E rëndësishme është që në stadium të ketë sa më shumë tifozë. Ju kujtojmë edhe njëherë çmimet e biletave për këtë ndeshje, bileta këto që janë në shitje prej dy ditësh, në sportelet pranë stadiumit, pikërisht në vendet ku janë shitur edhe biletat e kombëtares. Biletat janë elektronike sepse e tillë do të jetë edhe hyrja e tifozëve në stadium.
ÇMIMET E BILETAVE TE NDESHJES VLLAZNIA- KUKESI:
Tribuna VIP              1.000 leke
Tribuna A                   500 leke
Tribuna B                   500 leke
Tribuna D1,D2,D3,D4   400 leke
Tribuna C1,C5,E1,E5    300 leke
Tribuna C2,C3,C4         200 leke
Tribuna E1,E2,E3         200 leke
Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të mirëpresim këtë sfidë të parë të këtij kampionati duke shpresuar për një nisje të mbarë të tij.
© vllaznia.al