Vllaznia i merr pikw edhe Tiranws. Mbyllet 0-0 sfida nw Laç

204

Në barazim 0-0 është mbyllur ndeshja në mes Tiranës dhe Vllaznisë, ndeshje kjo e vlefshme për javën e fundit të fazës së parë të kampionatit. E luajtur në stadiumin e Laçit, kjo përballje tregoi edhe njëherë tjetër se kuqeblutë mund t’i marrin pikë çdo kundërshtari. Trajneri Cungu e nisi lojën pa ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen e kaluar ndaj Teutës. Një lojë e kujdesshme në prapavijë por në momente të veçanta, lojtarët shkodranë nëse do të ishin më të kujdesshëm, edhe mund të kishin rrezikuar seriozisht portën e bardhebluve. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Në të dytën është Tirana që e rrit në njëfarë mënyre presionin duke parë më tepër drejt portës së Agoviç por nuk ka raste të pastra. Madje, rastin më të pastër për të shënuar e ka patur kapiteni i Vllaznisë Ndriçim Shtubina në minutën e 78-të të ndeshjes. Kalaja i ka ulur bukur me gjoks një top atij dhe sulmuesi i kuqebluve ka gjuajtur me të majtën duke e dërguar topin ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës kundërshtare.  Trajneri i tiranasve Daja kërkon me çdo kusht golin dhe për këtë arsye, në minutat e fundit hedh në fushë dhe dy shkodranët, Vucajn dhe Gilman Likën por pa sukses. Nuk do ketë gol dhe i gjithë takimi mbyllet me rrjeta të paprekura. Një rezultat përgjithësisht i kënaqshëm për Vllazninë e cila siç pat deklaruar edh zëvendëstrajneri Maxhar një ditë para ndeshjes, ky rezultat do pranohej prej tyre dhe kështu ka ndodhur. Shkodranët e mbyllin fazën e parë me 11 pikë të grumbulluara ku spikat numri i madh i barazimeve: plot 5 në 9 ndeshje të luajtura. Çka do të thotë se kemi të bëjmë me një skuadër që arrin të përballojë çdo kundërshtar nëse futbollistët në fushë duan të tregojnë vlerat e tyre më të mira.

© vllaznia.al