Vllaznia- Kinostudio në “Loro Boriçi. Të ardhurat për Ambrën e sëmurë

196

Ndeshja kryesore e javës për kampionatin kombëtar të futbollit të femrave, ajo në mes Vllaznisë dhe Kinostudios, do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, ditën e shtunë me datë 19 tetor ora 14.00. Drejtuesit e klubit shkodran i kanë dhënë rëndësinë e duhur kësaj ndeshje sepse një fitore ndaj këtij kundërshtari, do të thoshte që Vllaznia përfundimisht të siguronte titullin “kampin i dimrit” dhe njëkohësisht të hidhte një hap të rëndësishëm drejt shpalljes kampion në fund të sezonit. Takimi me Kinostudion është vlerësuar seriozisht në kampin kuqeblu edhe për faktin se të dy skuadrat vijnë në këtë ndeshje në të njëjtën kuotë pikësh, nga 13 duke ndarë me njëra- tjetrën edhe vendin e parë e të dytë. Trajneri Selami Pepaj e ka vazhduar me intensitet stërvitjen gjatë këtyre ditëve bashkë me të gjitha vajzat dhe objektivi është për ta fituar këtë ndeshje sepse është investuar për këtë gjë. Ardhja e katër futbollisteve kamerunase, e vërteton më së miri këtë fakt. Në fakt ardhja e këtyre futbollisteve tek Vllaznia ka bërë përshtypje edhe në mediat qendrore teksa pasditen e së hënës një grup xhirimi i Top Chanel ka qenë në Shkodër për të bërë një reportazh me këtë ekip ndërkohë që tre futbollistet kamerunase dhe shkodrania Desantila Hoxhaj kanë qenë pasditen e së mërkurës në studion e këtij televizioni në një emision direkt për të folur mbi ecurinë e tyre në kampionat. E nëse këto vajza po bëhen të njohura, ato do të luajnë edhe një rol humanitar ditën e shtunë. Presidenti i këtij ekipi Lazër Matija, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit shkodran, kanë vendosur që ditën e shtunë hyrja në stadium të jetë me bileta (të cilat do kenë një çmim simbolik) dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave, plus edhe donacione të tjera, të shkojnë për mbesën e gazetarit të njohur sportiv Dëfrim Methasani, vajzën 17 vjeçare Ambra Meda që po kalon një sëmundje të rëndë. Një gjest fisnik i shkodranëve për t’i ardhur sadopak në ndihmë kësaj vajze dhe familjes së saj që po kalojnë momente aspak të mira.
© vllaznia.al