Vllaznia largon zyrtarisht Campironin, Shalën dhe Badallin

216

Klubi Vllaznia ka nisur bisedimet me disa prej futbollistëve që nuk kanë dhënë kontributine tyre siç duhet deri tani për të parë mundësinë  e rishikimit të kontratave ngaqë kjo është e shkruar në to. Drejtuesit e tij kanë arritur marrëveshjen e ndërprerjes së kontratës para kohe me tre prej futbollistëve. Bëhet fjalë për portierin italian Gianmarco Campironi, mbrojtësin kosovar Durim Badalli por edhe kosovarin tjetër Rijat Shala. Këtë të fundit, klubi Vllaznia e kishte përjashtuar rreth një muaj më parë për disa sjellje antisportive ndaj shokëve të ekipit por edhe trajnerit Raineri. Megjithatë vetë mesfushori ka qenë i pakënaqur me këtë vendim dhe e kishte çuar për shqyrtim në FSHF. Depozitimi i ankesës së tij në Komisionin e Disiplinës pritej të merrej në shqyrtim por drejtuesit e klubit shkodran ditën e djeshme kanë firmosur një akord me të për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës. Vetë Shala ka qenë dakord me atë çfarë i kanë ofruar dhe në këtë mënyrë, çdo gjë është mbyllur këtu teksa mesfushori kosovar ka tërhequr edhe ankimimin e bërë në Federatë.Drejtuesit e klubit Vllaznia i kanë ofruar rishikim kontrate edhe portierit italian Gianmarco Campironi. Ky i fundit kishte ardhur me bujë nga drejtuesit e kompanisë “Gea Sport” në formë huazimi nga klubi zvicerian i Chiassos por jo vetëm që nuk luajti titullar me përjashtim të një ndeshje në Kukës. Madje portieri 25 vjeçar jo vetëm që nuk luajti në portë por ai përfundoi në takimet e fundit edhe si portier i tretë, edhe pas Sherrit. Në rrethana të tilla, shkodranët nuk mund të pranonin të njëjtën kontratë dhe i kanë ofruar atij rishikimin e saj. Megjithatë vetë Campironi ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer sërish tek Chiasso dhe në rrethana të tilla bashkë me administratorin Kalamishi ka firmosur një marrëveshje për ndërprerjen me mirëkuptim të kontratës.Një tjetër futbollist i larguar dje nga Vllaznia ka qenë edhe mbrojtësi kosovar Durim Badalli. Ai ishte sjellë në Shkodër nga ish- presidenti Nava i cili e kishte patur edhe tek Durrësi. Stafi teknik dhe drejtuesit e tjerë të klubit në fakt nuk patën dashur ta mbajnë duke parë se nuk kishte ndonjë aftësi të veçantë për të luajtur megjithatë insistimi i Navës ka bërë që ai të federohej. Por që nga fillimi i shtatorit e deri dje, ai nuk ka luajtur qoftë edhe një minutë për Vllazninë. Në rrethana të tilla, drejtuesit e klubit dje kanë arritur marrëveshjen me të për të ndërprerë kontratën. Kjo në fakt ka qenë e shkruar edhe në kontratë, gjithnjë nëse do prishej kontrata me kompaninë “Gea Sport”. Nga dita e djeshme edhe Badalli nuk është më pjesë e kuqebluve. Sa i takon zëvendëstrajnerit Davide Belotti, bëjmë të ditur se po negociohet me të për rishikimin e kontratës, kjo sipas një pikë që është e shkruar në të por ende nuk është gjendur ndonjë kompromis. Belottit i është ofruar nga ana e klubit një funksion tjetër brenda klubit dhe pritet përgjigja e tij.
© vllaznia.al