Vllaznia luan mirë por mundet 1-2 në Korçë nga Skënderbeu

235

Skuadra shkodrane ka bërë një ndeshje të mirë por kjo nuk i ka mjaftuar për të marrë qoftë edhe një pikë në takimin e sotëm të luajtur në Korçë ndaj Skënderbeut vendas. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ka qenë 2-1 për vendasit. Në fakt, ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për shkodranët. Në minutën e 6-të Sykaj rrëshqet në fushë dhe kjo i jep mundësi korçarëve të kundërzbresin rrezikshëm. Topi shkon në këmbët e kapitenit Shkëmbi që brenda zonës nuk fal. 11 minuta më vonë një tjetër aksion pa pretendime i Skënderbeut. Topi shkon tek Ribaj që vetëm sa e prek dhe ai merr një trajektore të çuditshme duke prekur shtyllën anësore dhe duke përfunduar sërish në rrjetë. Në kampin shkodran ka alarm megjithatë trajneri Canaj mundohet të orientojë futbollistët në fushë. Baci në një moment gjuan fort me të majtën por mbi traversë. Më pas është serbi Nikoliç i cili luajti ndeshjen e parë me Vllazninë, i cili ekzekutoi dy herë goditje dënimi fare pranë zonës dhe topi kaloi ngjitur me traversën. Pjesa e parë kësisoj është mbyllur 2-0 për vendasit. E dyta nis sërish mirë për Vllazninë që dominon në mesfushë. në minutën e 63-të, në një goditje dënimi, topi shkon në zonë dhe aty Tafili me kokë e dërgon në rrjetë. Në minutat e mbetura dhe deri në vërshëllimin e fundit të gjyqtarit Alla, kuqeblutë kërkojnë me ngulm golin e barazimit por nuk ia arrijnë dot. Përfundimisht, 2-1 për Skënderbeun dhe Vllaznia që mbetet sërish në kuotën e 21 pikëve pas javës së 17-të të kampionatit.
© vllaznia.al