Vllaznia merkato 18 vjeçarësh. Firmosin Krymi, Çinari dhe Hakaj

202

Merkatoja e dimrit tek Vllaznia ka nisur. Për rrjedhojë janë shënuar dhe afrimet e para në skuadër. Nuk bëhet fjalë për blerje të bujshme por për futbollistë 18 vjeçarë të Akademisë Vllaznia. Ata janë Ardit Krymi, Erald Çinari dhe Esin Hakaj. Kjo gjë ka qenë disi e pritshme pas deklaratave të ditëve të fundit të drejtorit sportiv Armir Grima që deklaronte se objektivi i skuadrës për vazhdimin e sezonit do ishte promovimi i futbollistëve të rinj. Për këtë arsye, të tre këta futbollistë, ndonëse dje ka qenë ditë feste, kanë mbërritur në zyrat e klubit, aty ku kanë firmosur kontratat e ofruar nga drejtuesit e tij. Kohëzgjatja e tyre është e njëjtë për të tre, kontrata trevjeçare me opsion shtyrje edhe për dy vite të tjera më pas. Që do të thotë se nëse gjërat shkojnë mirë, këta futbollistë do jenë pjesë e Vllaznisë deri më 31 dhjetor 2019. Megjithatë mund të ndodhë dhe ndryshe dhe ata të largohen më parë, në rast të mbërritjes së ofertave kryesisht nga jashtë vendit.
Kontratat
Të tre këta futbollistë kanë qenë të evidentuar edhe më përpara nga ana e drejtuesve të klubit ndërkohë që kohët e fundit, për ta ka shprehur simpati edhe trajneri i ekipit të parë Baldo Raineri. Ai madje, në dy muajt e fundit ka ofruar Krymin në skuadër duke e aktivizuar edhe si titullar dhe ai nuk ka zhgënjyer duke qenë një nga më të mirët në fushë. Ka thirrur edhe Çinarin i cili ka luajtur në dy takime si zëvendësues ndërkohë që atij i pëlqen edhe mbrojtësi i majtë Hakaj dhe për këtë arsye, edhe ai mendohet të jetë në planet e tij për të ardhmen. Në rrethana të tilla, drejtori sportiv Grima ka qenë dakord që të tre këta futbollistë të firmosin kontrata afatgjata sepse janë elementë që premtojnë vërtetë për të ardhmen. I pari që ka mbërritur dje në zyrat e klubit ka qenë mesfushori Krymi. Ai ka hedhur firmë menjëherë dhe është larguar duke i lënë rradhën Çinarit ndërsa i fundit ka firmosur Hakaj, lojtar i cili luan si mbrojtës i majtë dhe ditët e fundit ka luajtur me kombëtaren U-19 në miqësoren ndaj Italisë. Futbollistët kanë qenë të shoqëruar edhe nga përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri. Ky i fundit bashkë me pjesën tjetër drejtuese të saj, po punojmë me shumë përkushtim për promovimin e futbollistëve të rinj të talentuar dhe përveç tre futbollistëve që kanë firmosur dje, janë edhe disa të tjerë që do të spikasin në të ardhmen.
Perspektiva
Nëse dje këta tre 18 vjeçarë kanë firmosur me Vllazninë, nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri prej tyre të largohet që në janar nga Shkodra. Kjo ngaqë, pas vizitës së fundit që drejtori sportiv Grima dhe ai i Akademisë Hoxha, kanë patur në Itali dhe Zvicër, ato kanë parë një interesim të klubeve dhe menaxherë të huaj në lidhje me elementët më cilësorë të Akademisë Vllaznia. Kjo ngaqë atyre u kanë folur mirë për to si trajneri aktual i kuqebluve Raineri dhe po ashtu edhe ish- drejtori sportiv Grigoletto. Për këtë arsye, drejtori i përgjithshëm i Genoa-s, thuhet se ka kërkuar dy lojtarë 18 vjeçarë dhe po ashtu edhe menaxheri i njohur Pablo Betancourt. Tashmë mbetet të shohim. E rëndësishme është që këta të rinj të talentuar të promovohen, tek Vllaznia apo në Europë pak rëndësi ka. E rëndësishme është që futbolli shkodran vazhdon të nxjerrë lojtarë me shumë të ardhme dhe që mbushin edhe rradhët e ekipeve kombëtare.  

Emri:         Ardit
Mbiemri:     Krymi
Datëlindja:   02.05.1996
Roli:           Mesfushor qendre

Emri:         Erald
Mbiemri:     Çinari
Datëlindja:   11.10.1996
Roli:           Mesfushor sulmues

Emri:         Esin
Mbiemri:     Hakaj
Datëlindja:   06.12.1996
Roli:           Mbrojtës i majtë