Vllaznia mund sërish Kukësin. Këtë javë kurorëzohet kampione e Shqipërisë

119

Vllaznia në futboll për femra ka arritur të fitojë sërish ndaj rivalit të vetëm në këtë kampionat, pikërisht ndaj Kukësit. Në ndeshjen e luajtur në Kukës, vajzat shkodrane kanë arritur të fitojnë me rezultatin 4-2. Megi Doçi ka shënuar fillimisht për Vllazninë por më pas Koldashi dy herë për vendasit, ka arritur të shënojë dhe ta kalojë në avantazh Kukësin. Por vetëm kaq sepse Xhemile Berisha do të barazonte shifrat dhe kaq do të mjaftonte që futbollistet e drejtuara nga trajneri Selami Pepaj të dominonin në fushë dhe të shënonin edhe dy gola të tjerë me anë të Suada Jasharit dhe Arlinda Grudës. Përfundimisht 4-2 për Vllazninë e cila me këtë fitore, ngjitet në kuotën e 63 pikëve duke qenë plot 13 pikë larg Kukësit të vendit të dytë. Ecuria e skuadrës që sponsorizohet nga presidenti Lazer Matija është vërtetë mbresëlënëse. Me 21 fitore të arritura në po kaq ndeshje të zhvilluara, ky ekip ka edhe një golaverazh marramendës: 161 gola të shënuar dhe vetëm 10 të pësuar. Këtë fundjavë është java e fundit e kampionatit dhe Vllaznia do të presë në Shkodër Elbasanin. Ky takim pritet të luhet ditën e dielë në stadiumin “Loro Boriçi” dhe menjëherë pas tij, do të dorëzohet kupa e ekipit kampion për sezonin 2014-15. Një sukses vërtetë mbresëlënës në një kampionat “të çmendur”.

© vllaznia.al