Vllaznia “mund veten” në Kavajë. S’shënon Hajdari, e pëson nga Sefa

205

Vllaznia ka bërë një hap të gabuar pasditen e sotme teksa ka humbur 0-1 në Kavajë me Besën. Një humbje që nuk duhej të kishte ndodhur për nga mënyra si shkoi loja. Arsen Hajdari të paktën në dy raste duhej patjetër të kishte shënuar në portën vendase por nuk e ka bërë këtë gjë. E bëri Sefa i Besës që në minutat e fundit ka arritur të shënojë golin që i dha tre pikë skuadrës së tij. Me humbjen e sotme, Vllaznia nuk arriti të ngjitet në vendin e dytë të renditjes por përkundrazi ka qenë një humbje që mund t’i prishë jo pak planet e saj për të ardhmen. Skuadra shkodrane e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Vujadinoviç, Beqiri, Kraja, Sykaj, Baci, Belisha, Bardulla, Kruja, Shtubina, Hajdari, Bushiç. Pjesa e parë e ndeshjes dhuroi një lojë më të kujdesshme për vendasit por në fakt Kruja në ’23 duhej të kishte shënuar. Gjithsesi vetëm 0-0 në 45 minutat e para. Në të dytën është sërish Vllaznia që duhej të kishte shënuar. Hajdari merr një top nga Kruja në ’52 por gjuan keq me të majtën jashtë. Por në fakt ky futbollist në minutën e 68-të bën atë që nuk duhej të bënte. Ka dalë i vetëm përballë portierit Bejte por vonon në gjuajtje dhe në fund nuk arrin të realizojë një gol thuajse të sigurtë. Ndërkohë Beqiri dhe Belisha detyrohen të lënë fushën e lojës të dëmtuar e në vend të tyre janë Rexha e Ramadani. Po ashtu largohet edhe Bardulla dhe në vend të tij është Dibra. Kur pritej ndoshta që Vllaznia të shënonte, në minutën e 84-të sulmuesi i Besës Sefa nuk markohet në gjuajtjen e tij nga mbrojtësi Rexha dhe topi përfundon në rrjetë. Gol që nuk do ndryshonte deri në fund rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Vllaznia kësisoj ka bërë një hap shumë të gabuar në këtë ndeshje të fundit të fazës së parë të kampionatit duke mbetur në kuotën e 17 pikëve duke mbetur në vendin e tretë vetëm falë golaverazhit.
© vllaznia.al