Vllaznia “mund veten” në Laç. Gabime elementare në pësimin e golave

232

Skuadra kuqeblu i rikthehet sërish humbjeve. I ka ndodhur kështu edhe në ndeshjen e javës së 14-të, atë të luajtur ndaj Laçit në fushën e këtij të fundit. Në përfundim të 90 minutave të takimit është fiksuar rezultati 2-0 për kurbinasit, për të cilët kanë shënuar dy futbollistët shkodranë që luajnë me të, Kruja në minutën e 8-të dhe Nimani në minutën e 77-të. Në fakt duhet pranuar se ndeshja nuk duhej kurrsesi të përfundonte me këtë rezultat ngaqë loja e ekipit tonë ka qenë përgjithësisht e mirë. Në rradhët e tij në këtë takim kanë munguar edhe tre titullarët, Cicmil e Bardulla për arsye kartonash dhe Soza i dëmtuar. Gjithsesi edhe me këto mungesa, loja ka qenë përgjithësisht e mirë. Megjithatë ata kanë gabuar në të dy momentet e golave duke i dhënë mundësi kundërshtarit të shënonte dhe ta fitonte ndeshjen. Sidomos në pjesën e dytë, Vllaznia ka luajtur mirë duke dominuar mesfushën por pa arritur dot të shënojë. Me këtë humbje, skuadra vijon të mbetet në kuotën e 8 pikëve në vendin e nëntë në renditje. Edhe shorti është i keq sepse të dielën do të luajë sërish në transfertë, këtë herë në Kukës ndaj skuadrës vendase dhe kuptohet që vështirësia do të jetë e madhe për të marrë pikë por futbollistët dhe stafi do të bëjnë të pamundurën për ta mos u kthyer duarbosh.
© vllaznia.al