Vllaznia mundet 1-3 nga Skënderbeu. Vendos një 11-metërsh i dyshimtë

217

Vllaznia pëson një tjetër humbje. Këtë herë ndaj kampionëve në fuqi, atyre të Skënderbeut me rezultatin 1-3 në një ndeshje ku skuadra jonë është paraqitur përgjithësisht mirë. Ajo në pjesën e parë të ndeshjes ka luajtur si e barabartë me Skënderbeun. Takimi në fakt ka nisur më mirë për vendasit të cilat krijojnë më shumë volum loje por pa shkuar dot drejt portës shkodrane.

Por në minutën e 10-të krijojet rasti i parë për miqtë kur topi i krosuar nga Gurishta përpak sa nuk mbërrin tek Soza sepse Shehi është i vëmendshëm. Por vetëm pak sekonda më vonë Sefa fut një top në korridor për sulmuesin uruguajan që këtë herë është i saktë dhe e dërgon topin në rrjetë. Një gol që ka habitur vendasit që mundohen të reagojnë por Arapi dhe Olayinka nuk janë të saktë në zonën shkodrane. Megjithatë goli i barazimit do të vinte në minutën e 18-të kur një gol i ardhur nga e djathta goditet saktë me kokë nga Salihi dhe përfundom në rrjetë. Pas këtij goli loja do ishte e barabartë megjithëse Skënderbeu ka më shumë epërsi në mesfushë. Por në ’34 do ishte Gurishta për Vllazninë shumë pranë golit të dytë dhe vetëm ndërhyrja e Radas mbi vijën fatale largon rrezikun. Në minutën shtesë do ishte një prekje e topit me dorë e Cicmil brenda zonës kur ishte i rrëzuar për tokë dhe korçarët kërkojnë 11-metërsh por gjyqtari Pashaj e konsideron të pavullnetshme dhe vazhdon lojën. Pjesa e parë kësisoj mbyllet në barazim 1-1. Pjesa e dytë nis me një zëvendësim për Vllazninë. Bardulla i ka lënë vendin kosovarit Ahmeti. Në minutën e 5-të Eskuedinja është shumë pranë golit të avantazhit por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Josa i pakënaqur lëviz në pankinë. Largon Eskuerdinjën dhe fut në lojë Berishën për t’i dhënë më shumë frymëmarrje sulmit. Në ’59 Arapi pas një goditje dënimi, e dërgon topin në shtyllë, kthehet prej andej dhe Sherri e Cicmil nuk arrijnë ta largojnë topin që shkon tek Osmani i cili vetëm 5 metra larg bën më të vështirën duke e dërguar topin mbi traversë. Trajneri Grima bën një tjerër lëvizje, largon Kalajën dhe në vend të tij është çinari. Presioni i Skënderbeut rritet por goli i avantazhit do të vinte vetëm përmes pikës së 11-metërshit. Marku do të pengonte brenda zone Olayinkën dhe Pashaj tregon pikën e bardhë ndonëse shkodranët nuk janë dakord. Nga pika e bardhë Salihi është i saktë dhe 2-1. Me këtë gol, sulmuesi shkodran i korçarëve ka kaluar shkodranin e Partizanit- Sukajn, në krye të listës së golashënuesve me një gol më tepër sesa ai, duke arritur kësisoj në kuotën e tetë golave të shënuar. është minuta e 70-të e ndeshjes. Në minutën e 80-të do të ishte rradha e Olayinkës për të shënuar golin e tretë për vendasit pasi shfaqet i lirë brenda zonës shkodrane. Këtu ndeshja mbaron ndonëse ka edhe disa minuta deri në vërshëllimën e fundit të saj. Korçarët duken të kënaqur me trepikëshin e marrë ndërsa shkodranët zhyten edhe më thellë në krizën e tyre.

© vllaznia.al