Vllaznia ndalet në Lushnjë. Barazim 1-1 por vendos gjyqtari

236

Skuadra shkodrane vazhdon serinë e rezultateve pozitive. Sot ajo ka arritur të marrë një barazim në fushën e vështirë të Lushnjës në shifrat 1-1. Meritë e Vllaznisë së Agim Canajt kjo, që ka rikonfrimuar vetveten në një tjetër transfertë të vështirë. Kuqeblutë kanë arritur të kalojnë të parët në epërsi, që në minutën e 13-të me mesfushorin Tafili, duke e rritur më shumë ngrakesën psikologjike dhe përgjegjësinë te lushnjarët. Këta të fundit, sidoqoftë, nuk e humbin toruan. Mbështetja e tifozëve u jep krahë dhe forca reaguese është në shkallën maksimale. Aq sa vjen minuta e 23-të, kur goleadori Canka do të barazonte shifrat. Rikthehet ekuilibri rezultativ në këtë sfidë, që është mjaft e bukur dhe luhet hapur nga të dyja palët deri në fund. Sulmet dhe kundërsulmet nuk rreshtin sa në njërën portë, aq edhe në tjetrën. Trajnerët i luajnë të gjitha kartat për ta fituar ndeshjen, me Banon që në gjysmëorën e fundit të lojës “riformaton” repartin e sulmit, duke e përforcuar atë edhe me Fatakin. Nuk zhbilancohet aspak prapavija shkodrane, që është një “mur” i pakalueshëm për vendësit. Mesfusha shkodrane arrin të filtrojë e amortizojë manovrën ofensive të skuadrës së Banos, në njërin drejtim, ndërsa ky repart është një mbështetje edhe për kundërsulmin e shpejtë të Vllaznisë. Dyluftimet zhvillohen më së shumti në mesfushë, cka e bën të pamundur golin e dytë dhe të fitores për secilën skuadër. Natyrisht, Vllaznia tregohet më shumë e kujdesshme në detyrat mbrojtëse, sepse barazimi i shkon më shumë për shtat, ndërsa lagunarët kuptojnë se jo gjithmonë mund ta jenë fatlumë në fushën e tyre.Megjithatë shkodranët kanë shënuar edhe golin e avantazhit në ’82 me anë të Krujës por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Jemini që e mohon atë. Ai është i mendimit se topi është prekur më parë me dorë nga Bushiç në momentin e pasimit drejt Krujës. Por jo vetëm ky rast. Shkodranët kanë kontestuar edhe raste të tjera por asgjë nuk ka ndryshuar, barazim 1-1.
Lushnja- Vllaznia 1-1
Lushnja: Spaho, Sula, Bizhyti, Ndoni, Gjyla, Koreshi (Topi 61’), Mihani, Çimili (Moreau 77’), Trashi, Çela (Fataki 77’), Canka. Tr: A. Bano
Vllaznia: Vujadinoviç, Beqiri, Rajoviç, Sykaj, Semina, Belisha (Dema 87’), Tafili, Hajdari, Kruja, Shtubina (Bardulla 74’), Bushiç (Gjini 90’). Tr: A. Canaj
Shënues: Canka 23’/ Tafili 13’
Gjyqtarë: L. Jemini, E. Biçaku, D. Miftari (Tiranë)
Kartona të verdhë: Bizhyti, Canka/ Vujadinoviç, Rajoviç, Semina

© vllaznia.al