Vllaznia për femra fituese e turneut “Miqësia”. Mund 7-0 Vizion të Ferizajt në finale

196

Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra është shpallur fitues i turneut “Miqësia” të zhvilluar ditën e djeshme në Shkodër. Ajo ka mundur në finale me rezultatin e thellë 7-0 ekipin Vizion të Ferizajt të Kosovës. Në këtë turne, kanë marrë pjesë edhe dy ekipe të tjera, pikërisht ato të Shkodrës, Juban Danja dhe The Door. Ndeshjet e para sipas shortit, kanë vënë përballë njëra- tjetrës Juban Danjën me Vizion dhe Vllazninë me The Door. Në të parën, rezultati i barabartë 1-1 i lojës i ka detyruar ekipet t’i drejtohen gjuajtjes së 11-metërshave ku Vizion ka fituar dhe ka siguruar finalen. Në ndeshjen tjetër, Vllaznia ka fituar pastër 4-0 ndaj The Door duke qenë edhe ajo në finale. Përpara kësaj ndeshje, është zhvilluar ajo për vendet 3-4 në mes The Door e Juban Danjës. Sërish është dashur gjuajtja e 11-metërshave për të shpallur fituesin dhe sërish Juban Danja ka qenë e pafat duke humbur. Në finale ndërkohë Vllaznia ka shpartalluar në të gjitha drejtimet kosovaret e Vizion dhe në fund është fiksuar rezultati 7-0. Në këtë mënyrë vajzat kuqeblu janë shpallur fituese të këtij turneu por për drejtuesit e katër ekipeve më shumë rëndësi ka patur forcimi i marëdhënieve dhe bashkëpunimit në mes tyre dhe jo më kot turneu ka patur emërtimin “Miqësia”.
© vllaznia.al