Vllaznia për femra mund 5-1 Shkëndinë e Durrësit. Kryeson me 22 pikë

225

Vllaznia në futboll për femra ka arritur një tjetër fitore në kampionat, këtë herë ndaj Shkëndisë së Durrësit me rezultatin 5-1. Ndeshja është luajtur paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”  dhe ndonëse skuadra shkodrane ka luajtur thuajse me formacionin e saj të dytë, ajo ka dominuar ndaj kundërshtarit. Kanë asistuar në këtë ndeshje përveç presidentit të ekipit Lazer Matija, edhe drejtuesit e lartë të klubit Fatos Gjyrezi, Armir Grima e Ismet Hoxha. I pranishëm në këtë ndeshje ka qenë edhe shefi I sektorit të futbollit të femrave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit Endi Hyka që ka deklaruar se nga viti në vit ka rritje të nivelit të kampionatit. Ai në veçanti ka evidentuar punën që bëhet tek Vllaznia prej disa vitesh por nga ana tjetër, ai ka theksuar se Federata po punon për rritjen e cilësisë së kampionatit të femrave në vendin tonë. Trajneri Selami Pepaj ka hedhur në fushë në këtë ndeshje portieren Elsa Matija, për të vazhduar me Luçije Gjinin, Greta Lazrin, Donilda Sufajn, Desantila Hoxhen, Esmeralda Franjen, Denisa Proton, Megi Doçin, Uendi Mujen, Arlinda Gruden, Jesmira Tulen. Në fitoren e sotme ndaj Shkëndisë së Durrësit, golat për ekipin e Vllaznisë janë shënuar nga Uendi Muja, Desantila Hoxhaj, Jesmir Tula ndërsa dy gola ka shënuar Arlinda Gruda. Me këtë trepikësh, Vllaznia është ngjitur në kuotën e 22 pikëve duke udhëhequr sërish e vetme kampionatin, një javë para përfundimit të fazës së parë të tij.
© vllaznia.al