Vllaznia për femra mund Juban Danjën edhe në kampionat, 7-2

225

Mesditën e sotme është luajtur sërish derbi shkodran i futbollit të femrave, ai në mes Vllaznisë dhe Juban Danjës. Këto dy ekipe ishin ndeshur edhe pak ditë më parë në finalen e Kupës së Shqipërisë teksa vajzat kuqeblu fituan me rezultatin e thellë 7-1 duke merituar edhe këtë trofe. Ditën e sotme është arritur thuajse i njëjti rezultat teksa Vllaznia ka shënuar sërish 7 gola por ndryshimi i vetëm është se Juban Danja këtë herë shënoi 2 gola. Përfundimisht 7-2 në favor të Vllaznisë e cila vazhdon të ruajë vendin e parë në krye të renditjes edhe pas javës së 11-të të kampionatit. Ndeshja e sotme ka nisur në orën 12.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Trajneri Selami Pepa kishte hedhur në fushë nga minuta e parë këtë formacion: Cadenoviç, Bajrakurtaj, Sufaj, Gjini, Lazri, Franja, Berisha, Doçi, Kastrati, Begolli dhe Tula. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 2-0 me gola të shënuar nga Xhemile Berisha dhe Lavdije Begolli. Në pjesën e dytë do të aktivizoheshin edhe Arlinda Gruda, Suada Jashari, Viona Rexhepi, Uendi Muja dhe Desantila Hoxhaj. Ndërkohë  epërsia do thellohej teksa Begolli do shënonte edhe golin e tretë. Pas saj rradha do ishte për Emanuela Franjen për të shënuar golin e katërt pas një inkursioni vetjak. Menjëherë pas këtij goli, Klaudia Rrotani do ngushtonte shifrat për Juban Danjen por vetëm kaq sepse Vllaznia do shënonte sërish edhe tre gola të tjerë me anë të Megi Doçit, Arlinda Grudës dhe Uendi Mujës. Në minutën e fundit të ndeshjes ndërkohë, gjyqtari do akordonte një 11-metërsh për Juban Danjen që do shnddiërrohej sërish në gol nga Klaudia Rrotani. Me fitoren e sotme Vllaznia është ngjitur në kuotën e 31 pikëve, ndërkohë që Juban Danja është në vendin e katërt me 21 pikë pas ndeshjeve të kësaj jave.
© vllaznia.al