Vllaznia rigjen fitoren ndaj Flamurtarit. E mund 1-0 me golin e Hajdarit

215

Vllaznia më në fund fiton. Pa ndonjë lojë shumë të bukur por duke luajtur me kujdes dhe duke administruar golin e shënuar herët nga Hajdari, ajo ia ka dalë të rikthehet tek fitorja pas shtatë javësh. Një trepikësh i marrë ndaj Flamurtarit që pavarësisht ndryshimeve në pankinë nuk po reflekton asgjë në fushën e lojës pavarësisht emrave që ka në përbërje. Me këtë fitore, trajneri Raineri tashmë ndihet më i qetë e bashkë me të edhe Vllaznia. jo më kot, në sytë e italianit mbrëmë janë parë lot gëzimi. Pjesa e parë
Trajneri Raineri e nis ndeshjen me “çudira”. Sikur të mos mjaftonin mungesat e Sozës dhe Sykajt, ai lë jashtë edhe mesfushorin Dema dhe në vend të tij është 18 vjeçari Krymi. Një guxim i tepruar por që rezultoi shumë efikas sepse lojtari i ekipit U-19 të Akademisë ka bërë një ndeshje perfekte. Përveç tij kanë luajtur mirë edhe të tjerët. Vllaznia ka patur edhe fat sepse në të parin rast, Hajdari shënon duke çliruar skuadrën por edhe veten. Kaq do mjaftonte që kuqeblutë të ishin më të qetë. Tafili në mesfushë e ka të vështirë të neutralizojë miqtë që mund të reagojnë megjithatë i ndihmuar edhe nga pjesa tjetër e skuadrës, ia del. Edhe mbrojtja luan pa gabime ndërkohë që tek Flamurtari nuk ka shumë ritëm. Lojtarët e tij duket se pajtohen me disavantazhin dhe reagimi është i zbehët.
Pjesa e dytë
Pak më shumë presion nga miqtë por jo aq sa duhet për të barazuar. Vllaznia kërkon të ruajë avantazhin. Me anë të kundërsulmit mund të rrezikojë herëpashere dhe nëse Kruja e Dibra do ishin treguar më të saktë në pasimet e fundit, mund të kishim tjetër rezultat. Por edhe kaq mjafton. Madje në minutat shtesë të ndeshjes, Liçaj do të shënonte golin e barazimit por ai anullohet për pozicion jashtë loje të tij, veprim që sinjalizohet nga anësori Qirici dhe miratohet nga Pashaj. Protestojnë vlonjatët por kjo nuk vlen. Vllaznia i ka mundur 1-0 dhe tashmë ajo është disi më e qetë në renditje duke lënë në pozita aspak të mira Flamurtarin.
Vllaznia-  Flamurtari 1-0
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Beqiri, Mehmedoviç, Baci, Tafili, Krymi, Hajdari, Kruja (Cioffi 91’), Dibra (Kalaja 86’), Shtubina. Tr: B. Raineri
Flamurtari: I. Lika, Mici, Sakaj (Meto 70’), Mendez, Arbri, Muzaka, Telushi, G. Lika (Liçaj 58’), Vucaj (Shehaj 74’), Kuqi, Abilaliaj. Tr: E. Ramela
Shënues: Hajdari 8’
Gjyqtarë: B. Pashaj, G. Qirici, D. Myftari
Kartona të verdhë: Krymi, Dibra/ Mendez, Telushi

© vllaznia.al