Vllaznia, stërvitjet dimërore do t’i zhvillojë në Ulqin

205

Ekipi i Vllaznisë në futboll, stërvitjet dimërore do t’i zhvillojë në qytetin bregdetar të Ulqinit në Mal të Zi. Kjo është vendosur pas inspektimit që administratori i klubit Neritan Kalamishi dhe drejtori sportiv Armir Grima, i kanë bërë dje këtij qyteti. Objektivi i tyre ka qenë për të parë nga afër kushtet që ofronte hoteleria dhe kryesisht terrenet sportive. Në fund është vendosur që ekipi të akomodohet në kompleksin “Olimpik”, që është edhe rezidenca e zakonshme e kuqebluve në këtë periudhë për çdo vit. Ky kompleks ofron kushtet më të mira dhe për këtë arsye, ekipi i Vllaznia do të jetë aty mysafir për një periudhë 10 ditore. Nisja e ekipit shkodran drejt Ulqinit pritet të bëhet më 6 ose 7 janar dhe do të qëndrojë atje deri një javë para ndeshjes së parë për vitin e ardhshëm, asaj me Kukësin që do të luhet më 24 janar në stadiumin “Loro Boriçi”. Në fakt, stërvitja e Vllaznisë do të vazhdojë aktualisht deri më 31 dhjetor dhe do të rifillojë pastaj më datë 5 janar pas rikthimit të stafit teknik nga Zvicra dhe Italia. Dy ditët e qëndrimit të skuadrës në Shkodrës mund të shërbejnë për të përcaktuar edhe listën përfundimtare të futbollistëve që do të udhëtojnë drejt Ulqinit. Gjatë qëndrimit në “Olimpik” tek Vllaznia mund të vijnë për t’u provuar edhe 2-3 futbollistë uruguajanë apo dhe ndonjë kosovar dhe stafi teknik do të ketë mundësi t’i testojë dhe në fund të vendosë për fatin e tyre. Kjo stërvitje në Ulqin pritet t’i shërbejë për mirë ekipit kur siç dihet në verë ai nuk mund të largohet dot nga Shkodra dhe kjo pati njëfarë ndikimi edhe tek paraqitja e tij në gjysmën e parë të sezonit.

© vllaznia.al