Vllaznia test i suksesshëm me Adën. E mundi 6-1 në miqësoren e sotme

212

Ka rezultuar i suksesshëm testi i sotëm i Vllaznisë ndaj Adës. Ajo ka fituar me rezultatin e thellë 6-1. Më shumë sesa rezultati, vlen loja e zhvilluar e cila e ka kënaqur stafin drejtues. Trajneri Canaj nuk ka preferuar të luajë me të gjithë titullarët në këtë ndeshje teksa disa prej tyre i ka lënë pushim e po ashtu edhe disa nga lojtarët që kanë probleme shëndetësore. Ndeshja ka nisur me këtë formacion për Vllazninë. Në portë ka qenë Selimaj, në mbrojtje Zefi (lojtari i ardhur nga Ada), Semina, Sykaj e Baci, në mesfushë Ramadani, Tafili, Dibra, Shtubina e Vecaj ndërsa në majë të sulmit Gjini. Pjesa e parë e ndeshjes është dominuar tërësisht nga kuqeblutë që kanë shënuar katër gola me anë të Gjinit ‘8, Shtubinës ’15, Dibrës ’18 dhe Seminës ’31 duke bërë që ajo të mbyllet me rezultatin e pastër 4-0. Në të dytën ka patur shumë zëvendësime tek të dyja skuadrat teksa me Vllazninë janë aktivizuar Balaj, Pjeshka, Krymi, Hakaj, Kapaklija, Idrizi, Dyca e Bushiç. Edhe në këtë pjesë do kishte përsëri gola teksa Vllaznia do shënonte dy herë, një autogol i Rusit në ’61 dhe Vecaj në ’70 ndërsa të vetmin gol për Adën në këtë ndeshje e ka shënuar sulmuesi Agaj në minutën e 47-të. Përfundimisht 6-1 për skuadrën shkodrane e cila e ka shfrytëzuar këtë miqësore për të testuar veten në pragndeshjen e rradhës për kampionat me Flamurtarin. I pyetur në lidhje me këtë miqësore, trajneri Canaj është shprehur kështu pas përfundimit të saj: “Ka qenë e domosdoshme të zhvillonim një ndeshje miqësore në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit sepse kemi disa lojtarë të dëmtuar dhe prandaj deshëm të provonim disa lojtarë të tjerë apo vendosje të tjera në fushë në mënyrë që të përcaktojmë mënyrën e të luajturit në ndeshjen e ardhshme me Flamurtarin. Unë kam besim se skuadra do të dijë të reagojë pas një momenti jo të mirë që kaloi duke filluar nga takimi i rradhës”.
© vllaznia.al