Vllaznia “thyen” 3-1 Tiranën në klasiken e futbollit shqiptar

256

Pas Skënderbeut rradhën e kishte Tirana për t’u mundur. Vllaznia ka arritur të sfidojë bardheblutë duke fituar ndaj tyre me rezultatin 3-1. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në “Reshit Rusi”, kuqeblutë e trajnerit Armando Cungu kanë marrë një trepikësh me shumë vlera. Ndeshja në fakt nuk ka nisur mirë për ta. Në minutën e 5-të Cicmil në përpjekje për të larguar një top, e dërgon atë në rrjetën e portës së tij. Megjithatë 6 minuta më vonë po ky lojtar do të shënonte sërish, por këtë herë në portën kundërshtare. Ai shfaqet i lirë në zonën e Tiranës dhe pas prekjes së topit me kokë nga një mbrojtës i saj, arrin ta çojë topin në rrjetë. Një gol që riktheu besimin tek fitorja dhe në fakt loja në minutat e mbetura do të ishte shumë e mirë. Në minutën e 21-të Sefa jep një asist të shkëlqyer për kapitenin Shtubina që përballë portierit Bakaj arrin të shënojë golin e dytë. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 2-1 në favor të Vllaznisë. E dyta nis më mirë për miqtë që duan golin e barazimit dhe ata përfitojnë nga një tërheqje e kuqebluve megjithatë minuta e 75-të do të sillte një gol model për shkodranët. Kombinime të bukura Çinari- Sefa- Kalaja- Çinari dhe ky i fundit ndonëse ka mundësi të gjuajë vetë, preferon të pasojë tek Kalaja që e dërgon topin në rrjetë. 3-1 për Vllazninë dhe ky rezultat nuk do ndryshonte deri në fund. Një fitore me shumë vlera për skuadrën kuqeblu që ngjitet në kuotën e 26 pikëve duke mbajtur sërish vendin e shtatë në renditje edhe pas javës së 26-të të kampionatit.
© vllaznia.al