Vllaznia U-17 do marrë pjesë në një turne në Bursa të Turqisë

207

Vllaznia U-17 do të marrë pjesë në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar të futbollit të moshave që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Bursa të Turqisë. Kjo pjesmarrje është bërë e mundur falë kontakteve dhe njohjeve të drejtorit sportiv të klubit, Armir Grima. Turneu zhvillohet në datat 10- 15 qershor dhe në të pritet të marrin pjesë disa ekipe moshash nga vende të ndryshme të Europës. Konfirmohet pjesmarrja e ekipit të njohur turk- Gallatasaraj e po ashtu edhe disa ekipeve të tjera gjermane, austriake dhe kosovare. Natyrisht një pjesmarrje në një turne të tillë, ka vlera të mëdha për futbollistët e rinj shkodranë të cilët me këto përballje do të kenë mundësi që të masin forcat e veta me kundërshtarët e tyre europianë. Marrja pjesë në këtë turne për Vllazninë U-17 do të bëhet në fund të kampionatit. Siç dihet, ekipi shkodran I drejtuar nga trajnerët Alban Hasani dhe Alban Noga, ndodhet aktualisht në vendin e dytë në kampionat dhe këtë të dielë, ka një ndeshje shumë të rëndësishme me Shkëndinë e Tiranës e cila ndodhet në vend të parë në renditje. Në rast fitoreje, kuqeblutë do të ngjiteshin në vend të parë dhe do ishin shumë pranë titullit kampion. Ndërkohë, përveç ekipit Vllaznia U-17 me shumë të ngjarë edhe Vllaznia U-19 do të ketë ndeshje miqësore ndërkombëtare teksa po planifikohet një ndeshje me ekipin e mirënjohur të Dinamos së Zagrebit. Vetë këto turne dhe këto miqësore që po zhvillojnë ekipet e Akademisë Vllaznia tregojnë për punën e mirë që po bëhet aty, jo vetëm me pjesmarrjen në kampionatet përkatëse por edhe me evidentimin e elementëve cilësorë për ekipet kombëtare.

www.vllaznia.al