Vllaznia U-17 e pandalshme. Fiton 4-0 ndaj Partizanit në kryeqytet

217

Ekipet e Akademisë Vllaznisë kanë vijuar me rezultatet e tyre pozitive edhe në ndeshjet e javës së dytë të kampionatit. Sipas kalendarit, të dy këto ekipe për të dytën javë rresht kanë qenë udhëtuese, këtë herë në kryeqytet ku janë përballuar me ekipet e Partizanit. Spikat fitorja e Vllaznia U-17 me rezultatin e thellë 4-0, çka bën që ky ekip të kryesojë me meritë kampionatin. Nga ana tjetër, Vllaznia U-19 nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 0-0 ndaj të kuqve. Ndeshja e 17 vjeçarëve është vërtetë për t’u vlerësuar.Ndonëse luanin jashtë fushës së tyre, djemtë e drejtuar nga trajnerët Lika e Xhahysa, kanë treguar një formë shumë të mirë sportive. Rezultati është zhbllokuar nga sulmuesi Kulla që ka shënuar shumë shpejt ndërkohë që pak minuta më vonë, do të vinte edhe goli i dytë, këtë herë me autor Boriçin. Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me fitoren e futbollistëve shkodranë me shifrat 2-0. Në të dytën pritej një rritje e presionit nga skuadra e Partizanit por në fakt, dominuese në fushë është vetëm Vllaznia. Ajo do të shënonte edhe golin e tretë me anë të Kullës sërish dhe pak më vonë, edhe një tjetër me anë të mbrojtësit Lekaj, duke kompletuar kështu fitoren e thellë 4-0 ndaj skuadrës së kuqe. Pas javës së dytë të kampionatit, Vllaznia U-17 udhëheq renditjen me pikë të plota- 6 dhe me golaverazhin 6-0. Ndërkohë 19 vjeçarët shkodranë nuk kanë patur të njëjtin sukses. Ata nuk kanë marrë më shumë sesa një barazim 0-0 ndaj moshatarëve të tyre të Partizanit. Ndeshja ka patur rastet e veta por asnjëri ekip nuk ka arritur të shënojë duke bërë kështu që në fund të saj, të ndajnë nga një pikë.

© vllaznia.al