Vllaznia U-17 fitore në limitin e ndeshjes, Vllaznia U-19 vetëm barazim

229

Vllaznia U-17 ka arritur një fitore vetëm në limitet e takimit në përballjen me Shkëndinë e Durrësit. Ndeshja e luajtur ditën e djeshme në fushën sportive “Reshit Rusi”  është dominuar nga futbollistët shkodranë por sidomos në pjesën e parë ata kanë shpërdoruar shumë raste shënimi. Kur u duk se ndeshja do të shkonte drejt barazimit pa gola, pikërisht në minutat shtesë ka ardhur goli i fitores shënuar nga Erkoçeviç. Me këtë trepikësh, Vllaznia U-17 e drejtuar nga trajnerët Alban Volumi e Nikolin Leka është ngjitur në kuotën e 47 pikëve duke u pozicionuar në vendin e tretë në renditje. Kur duhen edhe shtatë ndeshje deri në fund të fazës së dytë, ky ekip duket se është shumë pranë realizimit të objektivit të parë, futjes në zonën e plej- ofit, fazë në të cilën katër ekipet më të mira do të luftojnë për të fituar titullin kampion.
E ndërsa Vllaznia U-17 ka arritur të fitojë në fund, Vllaznia U-19 nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 1-1 ndaj Shkëndisë së Durrësit. Kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Amarildo Belisha e David Lleshi, kanë zhvilluar një ndeshje jo të mirë. Të dy golat e këtij takimi janë shënuar që në pjesën e parë, fillimisht një autogol i futbollistëve durrsakë që pak minuta më vonë arritën të shënojnë edhe golin e barazimit në portën e Vjerdhës. Megjithë përpjekjet e pjesës së dytë, Vllaznia nuk ka arritur dot të shënojë golin e fitores. Me dy pikët e lëna në këtë ndeshje. Kuqeblutë janë detyruar të lëshojnë vendin e parë në renditje megjithatë objektivi i tyre primar është realizuar, futja në plej- of, fazë në të cilën kuptohet që do ketë objektiva të rëndësishme për këtë ekip.

© vllaznia.al