Vllaznia U-19 fiton 1-0 në Kavajë, U-17 barazim 0-0 ndaj Besës

197

Me një fitore dhe një barazim i kanë mbyllur ndeshjet e javës së dytë të kampionatit ekipet e Akademisë Vllaznia. Ato kanë luajtur dje në Kavajë me ekipet respektive të Besës.Vllaznia U-19 ka fituar 1-0 ndërsa U-17- a ka barazuar 0-0 në këtë javë. Kjo e fundit ka luajtur e para dje. Ndonëse ka zhvilluar një ndeshje të mirë, skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Volumi nuk ka arriur dot të fitojë. Mosshënimi i golit duket një problem për këtë skuadër e cila pas dy javëve të para, ka arritur të grumbullojë vetëm një pikë. Me shumë vështirësi ka fituar edhe U-19-a. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur pa gola. Kuqeblutë e trajnerit Samuel Nikaj, nuk kanë arritur dot të dalin në lojën e tyre ndonëse në perberje ka elementë shumë cilësorë. Në rrethana të tilla, stafi drejtues është detyruar të bëjë disa zëvendësime dhe pikërisht njëri prej lojtarëve që ka hyrë në fushë në pjesën e dytë, sulmuesi Blinishta, ka arritur të shënojë golin e fitores në minutën e 87-të të ndeshjes duke i dhënë fitoren Vllaznisë. Pas dy javëve të para, U-19-a kryeson tabelën e renditjes me 6 pikë të plota. Në ndeshjet e javës së tretë, ajo do të luajë në Shkodër derbin e qytetit teksa përballë do të ketë ekipin e Vllaznimit që drejtohet nga Brikeno Bizi ndërsa U-17-a do të luajë me ekipin privat lezhjan Brian’s.
© vllaznia.al