Vllaznia U-19 fiton 2-1 në Vlorë, Vllaznia U-17 barazim 1-1

266

Një fitore dhe një barazim kanë arritur ekipet e Akademisë Vllaznia në ndeshjet që kanë luajtur në Vlorë ndaj ekipeve të Flamurtarit. Vllaznia U-19 ka fituar me rezultatin 2-1 ndërkohë që Vllaznia U-17 ka fiksuar rezultatin 1-1 në fund të ndeshjes.Në fakt ndeshjet kanë qenë të tensionuara e këtë e tregon edhe fakti që në fund të dy takimeve, ka patur plot 4 kartona të kuq për futbollistët shkodranë, nga dy për secilin ekip. Ndeshja e parë ka qenë ajo e 17 vjeçarëve. Shkodranët kanë shënuar që në minutat e para një gol me anë të sulmuesit Pusi por që është anulluar nga ana e gjyqtarit për pozicion jashtë loje. Më pas, kanë qenë vlonjatët që kanë kaluar të parët në avantazh dhe në fillimin e pjesës së dytë, Blinishta ka barazuar shifrat për Vllazninë, rezultat që ka mbetur në fuqi deri në fund të ndeshjes ndonëse shkodranët në 15 minutat e fundit kanë luajtur me 9 futbollistë për shkak të daljes me kartona të kuq të Rajçeviq dhe Demës. Vllaznia U-17 me pikën e marrë dje në Vlorë është ngjitur në kuotën e 31 pikëve duke mbajtur vendin e katërt në renditje. Pas kësaj ndeshje është luajtur ajo e 19 vjeçarëve. Kuqeblutë kanë shënuar që në pjesën e parë me anë të sulmuesit Çinari dy herë duke kaluar në avantazh. Në fillimin e pjesës së dytë, Flamurtari me anë të 11-metërshi ka ngushtuar rezultatin por vetëm kaq. Vllaznia ndonëse ka luajtur me dy futbollistë më pak, për shkak të daljes me kartona të kuq të Kapaklijës dhe Dycës, e ka ruajtur avantazhin deri në fund. Vllaznia U-19 me fitoren e djeshme është ngjitur në kuotën e 46 pikëve duke mbajtur sërish vendin e parë në renditje, madje i shkëputur nga ndjekësit e tij. Bilanci i kësaj skuadre është vërtetë i frikshëm, me 14 fitore dhe 4 barazime ndërkohë që ajo nuk e njeh ende shijen e humbjes. Golaverazhi është po ashtu shumë pozitiv, me 53 gola të shënuar dhe vetëm 13 të pësuar.

© vllaznia.al