Vllaznia U-19 mund 2-0 kampionët e Partizanit. Vllaznia U-17 vetëm barazim

121

Vllaznia U-19 ka arritur një tjetër fitore në kampionat, por fitorja e kësaj jave merr edhe më shumë vlera sepse është arritur ndaj skuadrës kampione në fuqi të kësaj grupmoshe- Partizanit. Në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, shkodranët 19 vjeçarë kanë fituar me rezultatin e pastër 2-0. Por jo vetëm ky rezultat, edhe loja gjatë 90 minutave ka folur tërësisht për futbollistët e drejtuar nga trajnerët Edmond Doçi dhe Albert Kaçi. Në pjesën e parë për ta ka shënuar sulmuesi Rubin Hebaj që ka shfrytëzuar mjaft mirë një top të ardhur nga Vecaj dhe me një gjuatje të fortë, ka dërguar topin në rrjetë. Ndërkohë në pjesën e dytë ka qenë mesfushori Sinisha Rajçeviq i cili pas një goditje këndi, ka goditur saktë me kokë duke shënuar edhe golin e dytë dhe të fundit të kësaj ndeshje. Me fitoren e djeshme Vllaznia U-19 është ngjitur në kuotën e 22 pikëve duke mbajtur vendin e tretë në renditje.Ndërkohë Vllaznia U-17 nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi 1-1 po ndaj ekipit të Partizanit të kësaj grupmoshe. Ajo në fakt ka kaluar e para në avantazh që në minutën e 6-të me anë të Parubit që shfrytëzon mjaft mirë një top të ardhur në zonë dhe arrin ta kalojë mbi portierin duke e dërguar në rrjetë. Por avantazhi i kuqebluve nuk do të zgjaste shumë. Dy minuta më vonë, lojtarët miq do të barazonin rezultatin pas ekzekutimit perfekt të një goditje dënimi. Më pas, megjithë përpjekjet e të dy ekipeve, nuk do të kishte gol tjetër. Me pikën e marrë dje, Vllaznia U-17 është ngjitur në kuotën e 20 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje.
© vllaznia.al