Vllaznia U-19 tjetër fitore ndërsa Vllaznia U-17 ndalet me një barazim

202

Ekipet e Akademisë Vllaznia kanë zhvilluar sot ndeshjet e tyre të rradhës. Ato kanë pritur në Shkodër ekipet respektive të Akademisë së futbollit të kryeqytetit. Po ndërsa Vllaznia U-19 ka vijuar me serinë e fitoreve, ai U-17 është ndalur me një barazim. Takimet janë luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Takimi i parë ka qenë ai i 17 vjeçarëve. Ndonëse futbollistët e të dy ekipeve u munduan të shënojnë, nuk ia dolën dot dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi është mbyllur në barazim pa gola, 0-0. Me barazimin e sotëm, djemtë shkodranë të pozicionuar në vendin e tretë, thuajse heqin dorë nga pretendimet për dy vendet e para që shkojnë në play-off Menjëherë pas tij ka nisur takimi i të rinjve ku ka patur tjetër histori. Blinishta do të zhbllokonte rezultatin për vendasit në minutën e 20-të dhe pjesa e parë do të mbyllej më shifrat 1-0 për Vllazninë. Po ky futbollist- Blinishta, do të shënonte edhe golin e dytë për të në minutën e 60-të duke dyfishuar shifrat por vetëm për pesë minuta sepse miqtë do të ngushtonin shifrat me anë të numrit 9 të tyre. Gjithsesi Balaj në minutën e 72-të do të shënonte edhe golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes. Kuqeblutë kësisoj fitojnë me rezultatin 3-1 dhe ngjiten në kuotën e 40-të pikëve duke qenë të pozicionuar për momentin në vendin e dytë në renditje, ngaqë kanë një ndeshje më pak, atë ndaj Laçit që nuk është luajtur ende megjithatë në rast fitoreje të saj, do të kalojnë të parët në kuotën e 43 pikëve, dy më shumë se Shkëndia që kryeson sot.
© vllaznia.al