Vllaznia U19 drejt Kazakistanit. Drejtuesit optimistë për një paraqitje të mirë

102

Të enjten në Astana të Kazakistanit do të luhet ndeshja e parë e turit të parë të “Uefa Youth League” në mes ekipit vendas FC Astana dhe Vllaznia U19. Per kete arsye, diten e sotme kane dale ne nje konference per shtyp dy drejtuesit e Akademise Qashif Hoxha dhe Alban Neziri si dhe trajneri i ekipit Luan Zmijani. i pari që ka folur ka qenë drejtori administrativ i Akademisë Vllaznia Qashif Hoxha.Ai ndër të tjera ka folur edhe për masat organizitive që klubi ka marrë për udhëtimin e këtij ekipi dhe paisjen e tij me bazën e duhur materiale. “Do të nisim paraditen e së martës në orën 09.00 nga Rinasi dhe do të udhëtojmë drejt Stambollit ku do të qëndrojmë në tranzit për 3-4 orë dhe më pas do të nisemi drejt Kazakistanit.Çdo gjë është ashtu si duhet, janë marrë të gjitha masat dhe besoj se nuk do të ketë asnjë problem për ekipin tonë. Kuptohet që është krenari që Vllaznia për të dytin vit me rradhë merr pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm europian duke qenë i vetmi ekip shqiptar që e ka provuar ndjesinë e të luajturit aty.Besoj se skuadra ka për të dhënë maksimumin e saj për të nderuar veten, klubin Vllaznia, Shkodrën dhe Shqipërinë në këtë kupë”- është shprehur Hoxha. Me pas ka folur përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri i cili ka deklaruar: “Kjo pjesmarrja konfirmon edhe njëherë tjetër faktin se Vllaznia është shembull në këtë drejtim. Do të tentojmë të përsërisim sezonin e kaluar kur në tribunën e stadiumit ishin tre mijë tifozë për ta mbështetur këtë ekip. Sa i takon rezultatit, dua të them se nuk kemi shumë njohje për kundërshtarin megjithatë djemtë tanë besoj se kanë për të dhënë më të mirën e tyre. Duhet t’i lëmë të qetë ata të luajnë ashtu si duhet dhe të jeni të bindur se kemi për të qenë krenar me ta. Të paktën me këtë ekip po bëjmë diçka të mirë për futbollin shkodran, të cilit me ekipin e parë i mungojnë pjesmarrjet në Kupat e Europës prej shumë vitesh”. Ne fund ka marre fjalen edhe trajneri Zmijani qe ka shtuar: “Jemi përgatitur siç duhet për këto përballje. Në fakt kundërshtarin nuk e njohim fare. Thjesht kemi parë në video një ndeshje të tij dhe kaq. Nuk kemi asnjë informacion më shumë përveçse kanë edhe disa lojtarë me ekipet kombëtare të moshave të këtij vendi. Gjithsesi, Vllaznia do të mundohet të bëjë lojën e saj. Kuptohet që dëshira është e madhe për t’u kualifikuar, por në këto momente nuk mund të flasim me entuziasëm. Të shohim ndeshjen e parë njëherë dhe më pas, do të vendosim edhe objektivin tonë. Megjithatë, pavarësisht nivelit që do të ketë ekipi i Astanës, ju siguroj se Vllaznia do të mundohet të arrijë objektivin për të kaluar në turin e dytë të këtij kompeticioni”.

© vllaznia.al