Zëvendëspresidenti Isufi paralajmëron ndryshime tek Akademia

213

Paraditen e sotme në zyrat e klubit Vllaznia është zhvilluar një takim i zëvendëspresidentit të klubit Isuf Isufi me trajnerët dhe drejtuesit e Akademisë Vllaznia. Ka qenë i pranishëm edhe shefi i klubit Armir Grima. Po ashtu kanë qenë edhe dy drejtuesit aktualë të kësaj Akademie Qashif Hoxha dhe Ismet Hoxha. Në fillim të fjalës së tij, zëvendëspresidenti Isufi ka falenderuar trajnerët dhe drejtuesit për punën e bërë. “Kam shumë respekt për punën e gjithësecilit prej jush. Megjithatë fakti që tashmë klubi ka kaluar në duart e privatit, do të thotë se duhet ndryshuar diçka në mënyrë që të rritet cilësia e punës aq më tepër që për kompaninë “Gea Sport” Akademia është prioritet. Secili prej ju trajnerëve e ka mbaruar kontratën me klubin Vllaznia. Në ditët e ardhshme, do të mendojmë për kontratat e reja por nuk e di nëse do jeni të gjithë. Kë do të thërrasim për të vazhduar punën, do të vijë. Për të tjerët sigurisht që vlen vetëm falenderimi për punën e deritanishme dhe keqardhja e ndërprerjes së bashkëpunimit”. Ka folur më pas edhe drejtori i Akademisë Qashif Hoxha i cili ka vlerësuar punën e bërë nga trajnerët dhe rezultatet e arritura. Në adresë të tij ka patur një pyetje nga ana e zëvendëspresidentit Isufi nëse do të vazhdonte punën me të gjithë këta trajnerë nëse edhe ai do ishte sërish në të njëjtën detyrë dhe Hoxha ka thënë që “po”. Pikërisht për këtë përgjigje zëvendëspresidenti Isufi ka thënë: “Unë nuk jam dakord me këtë gjë. Ne jemi privatë tashmë dhe vijmë për të rritur performancën e Akademisë dhe kuptohet që nuk mund të vazhdohet me të njëjtin kontigjent. Prandaj e përsëris që do ketë ndryshime”. Nga ana tjetër është bërë e ditur se nga fillimi i javës tjetër do nisë puna tek të gjithë ekipet e Akademisë teksa po synohet kompeltimi me bazë materiale dhe sigurimi i 2-3 fushave për stërvitje. Gjatë këtyre ditëve do të thirren trajnerët për firmosjen e kontratave por kuptohet që pritet të ketë ndryshime si tek trajnerët ashtu edhe tek drejtuesit.

www.vllaznia.al