Zyrtare: Dervish Haxhiosmanoviç zgjidhet trajneri i ri i Vllaznisë

213

Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se e ka gjetur trajnerin e ri. Ai është Dervish Haxhiosmanoviç. Në fakt, nuk është i ri sepse në Shkodër ka shumë përvojë dhe i njohur duke qenë trajneri më i suksesshëm i viteve të fundit me skuadrën tonë. “Deda” ka qenë i pranishëm në stërvitjen e pasdites së sotme të kuqebluve, i shoqëruar nga drejtori sportiv Armir Grima. Të dy sëbashku kanë ndjekur për disa minuta seancën stërvitore të kuqebluve të zhvilluar në fushën sportive të Shtojit dhe më pas janë larguar.Më pas janë zhvilluar bisedimet dhe në fund është arritur akordi. Që do të thotë se Dervish Haxhiosmanoviç do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë deri në fundin e këtij sezoni.Ai në fakt pëlqehet shumë në Shkodër, për punën e bërë më përpara me Vllazninë me të cilën ka arritur të fitojë titullin kampion në vitin 2001, Kupën e Shqipërisë në vitin 2008 dhe Superkupën në vitin 2001. Po ashtu sezonin e kaluar ai është shpallur kampion i Shqipërisë edhe me ekipin e femrave të Adës së Velipojës. Pikërisht këto trofe, ndershmëria e tij në punë dhe disa virtyte të tjera të tij, duket se i kanë bërë drejtuesit e Vllaznisë të hyjnë në bisedime me Haxhiosmanoviç. Trajneri nga Vllaznia në fakt gjithnjë ka qenë pranë kësaj skuadre teksa e ka ndjekur në shumë ndeshje që ajo ka zhvilluar në Shkodër apo dhe në Mal të Zi. Ai ka qenë i pranishëm edhe ditën e dielë në “Loro Boriçi” në takimin ndaj Partizanit. Ndërsa që nesër do jetë në krye të skuadrës për të nisur nje mision te ri.

www.vllaznia.al