Administratori Gjyrezi: Vllaznia ka avantazh qetësinë ndaj Partizanit

204

Rëndësia e ndeshjes ndaj Partizanit sigurisht që ka vënë të gjithë në lëvizje në kampin shkodran. Ashtu si shpeshherë të tjera, edhe dje, dy drejtuesit më të lartë të klubit Vllaznia, administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Eugent Zeka, kanë qenë pranë skuadrës, madje para fillimit të seancës stërvitore kanë zhvilluar një takim të shkurtër disa minutësh me të, takim ky që është zhvilluar me dyer të mbyllura. Megjithatë pask këtij takimi, ka qenë vetë numri 1 i klubit ai që ka bërë të ditur për mediat, atë çfarë është diskutuar në takim. “Unë sapo u ndava nga ekipi në takimin që pata me të. Ajo çfarë u kërkova futbollistëve është të kenë optimizmin e duhur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Djemve u thashë se duhet të ndihen të lirë, të luajnë të qetë dhe jo nën presion dhe besoj se i kanë të gjitha mundësitë për ta mbyllur këtë takim me rezultat pozitiv. Luajmë në fushën tonë dhe prandaj shpresojmë shumë për këtë gjë. Kjo periudhë e ndërprerjes së kampionatit na ndihmoi për rikuperimin e lojtarëve që kishim të dëmtuar dhe tashmë me përjashtim të Bardullës që është i skualifikuar me kartona, pjesa tjetër e futbollistëve është e gatshme për ndeshje dhe kjo është diçka pozitive”- ka thënë ai. I pyetur sesa do të ndikojë tek skuadra rikthimi në “Loro Boriçi” dhe mbështetja e madhe që pritet nga tifozët shkodranë, administratori Gjyrezi është përgjigjur: “Patjetër që është diçka shumë e mirë që rikthehemi të luajmë pas një kohe relativisht të gjatë sërish në “Loro Boriçi” dhe prandaj u bëj thirrje edhe tifozëve ta mbështesin ekipin në këtë ndeshje shumë deçisive për ekipin tonë dhe prandaj shpresoj që të gjithë sëbashku nesër pastaj të festojmë me një fitore të mundshme të Vllaznisë”. Fakti që është administrator i klubit, bën që në çdo dalje të tij para medias, të ketë pyetje edhe për financat. I pyetur nëse do të mjaftojë për të mbyllur këtë vit fondi prej 120 milionë lekësh që ka miratuar sëfundi Bashkia, Gjyrezi i është përgjigjur: “Për momentin gjendja financiare e klubit është e mirë sepse sapo është lëvruar fondi i miratuar para pak kohësh nga Bashkia dhe për këtë dua të falenderoj të gjitha institucionet përkatëse sepse bënë të mundur lëvrimin e këtij fondi në një kohë shumë të shkurtër. Por, ne jemi në pritje të marëdhënies që do të përcaktojë Bashkia Shkodër me FSHF-në sa i takon çështjes së administrimit të fondeve të stadiumit sepse ne presim të ardhura nga kjo gjë. Por nëse ne do të kemi probleme financiare, do t’i drejtohemi sërish Bashkisë për mbështetje”.

© vllaznia.al