Agim Canaj: Kjo, një fitore kthese për ekipin e Vllaznisë

226

Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, e ka vlerësuar fitoren ndaj Kastriotit, por nuk ka ngurruar të ndalet edhe te gabimet që ka bërë skuadra e tij. “Ishte një fitore e merituar e skuadrës sonë. U jemi gëzuar tri pikëve se vinim pas dy rezultateve negative. E dinim që kishim përballë një Kastriot të motivuar dhe një skuadër të mirë. Mund të them se pas golit të shënuar e morëm më lehtë se duhet takimin, për rrjedhojë Kastrioti jo vetëm që shënoi, por edhe mund të na kishte rrezikuar për të shënuar golin e dytë. Përsëri bëmë disa gabime individuale në prapavijë, ku edhe mund të kishim pësuar gola. Sa i përket pjesës së dytë, ajo ishte më e mirë. Falë lëvizjeve tona, ne arritëm të neutralizonim edhe mesin e fushës së ekipit kundërshtar. E zhvendosëm lojën në gjysmëfushën e Kastriotit. Tensioni që u krijua në fund për të shënuar ndikoi edhe në lojën tonë. Kemi marrë një trepikësh të merituar”.