Akademia Vllaznia dy fitore dhe 9 gola ndaj ekipeve të Laçit

228

Me dy fitore të thella janë mbyllur ndeshjet e javës së shtatë të kampionateve të moshave për ekipet e Akademisë Vllaznia. Ato kanë pritur në fushën sportive “Reshit Rusi” ekipet respektive të Laçit dhe ndaj tyre kanë arritur fitoret, 5-0 dhe 4-0. Të parët kanë zbritur në fushë 17 vjeçarët e të dy ekipeve. Shkodranët e drejtuar nga Nefail Zhejani dhe David Lleshi kanë dominuar tërësisht mbi kundërshtarin. Që në pjesën e parë ata kanë arritur të shënojnë plot katër gola me autorë, dy herë Isufin dhe nga një gol shënuar nga Dani dhe Palushani. Në pjesën e dytë ka ardhur edhe goli i fundit me autor Hasën dhe në këtë mënyrë ai ka kompletuar fitoren e thellë 5-0. Me këtë trepikësh ekipi Vllaznia U-17 ngjitet në kuotën e 12 pikëve duke mbajtur vendin e katërt në renditje. Ndërkohë fitore të thellë ka arritur edhe Vllaznia U-19. Në pjesën e parë për të kanë shënuar Blinishta dhe Pusi ndërsa në të dytën sërish Blinishta dhe Vecaj. Pra, përfundimisht 4-0 dhe me këtë trepikësh skuadra e drejtuar nga trajnerët Edmond Doçi dhe Albert Kaçi është ngjitur në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje. Javën e ardhshme ekipet e Akademisë Vllaznia do t’i luajnë ndeshjet e rradhës në Tiranë ndaj ekipit të Akademisë së futbollit.

© vllaznia.al